
Tryezë Diskutimi "Projektligji për Regjistrimin e Popullsisë"
10/08/2021Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) sot ka mbajtur Diskutim publik me temën: Projektligji për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë.
Në këtë tryezë diskutimi të pranishëm ishin Zv. Kryeministrja për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, znj. Emilija Redzepi; Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati, përfaqësues të ministrive të tjera dhe Avokatit të Popullit, përfaqësues të universitetit, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, të shoqërisë civile, si dhe të institucioneve fetare dhe të komuniteteve.
Fjalën e hapjes së këtij diskutimi publik e bëri drejtori i statistikave sociale dhe menaxheri i Regjistrimit të Popullsisë, z Avni Kastrati.
Kurse, në fjalën e saj, Zv. Kryeministrja Redzepi, tha se “Regjistrimi i Popullsisë është një prej temave më të rëndësishme të sistemit statistikor shtetëror dhe si i tillë duhet të jetë prioritet dhe se Qeveria e Republikës së Kosovës është jashtëzakonisht e interesuar për këtë projekt”. Më tej, ajo theksoi zhvillimet e fundit lidhur me mungesën e të dhënave të sakta për migrimin e popullsisë, edhe pse trendët e migrimit kanë ndryshuar për shkak të pandemisë Covid-19. Në veçanti, Zv. Kryeministrja Redzepi potencoi rëndësinë e analizës mbi gjendjen e komuniteteve në Kosovë, numrin e tyre të saktë, trendët e fundit të migrimit dhe gjendjen e grupeve të margjinalizuara, si një tërësi e kapitalit njerëzor në vend. Në fund, ajo premtoi angazhim institucional, personal dhe në nivel të eksperteve të përfshirë, që do të japim kontributin e tyre për këtë çështje.
Ndërkaq, Ministri Murati në fjalën e tij tha se deri më tani Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Agjencia e Statistikave të Kosovës, si institucione bartëse të statistikave zyrtare në vend, kanë realizuar një sërë aktivitetesh, përfshirë edhe projektligjin për Regjistrimin e Popullsisë. “Takimi i sotëm me palët e interesit shënon një hap të rëndësishëm drejt finalizimit të projektligjit në fjalë dhe krijimit të bazës për mbledhjen, analizimin dhe ofrimin e të dhënave për indikatorët kyç demografikë dhe socio-ekonomikë në vend” – tha ai. Më tej, ai shtoi se “Regjistrimi i Popullsisë është projekt i rëndësishëm kombëtar, që do t’u ofrojë institucioneve qendrore dhe lokale, organizatave e bizneseve, një gamë të gjerë të dhënash për politikë-bërje në përgatitjen e planeve strategjike e analizave hulumtuese për fusha, si: arsimin, shëndetësinë, transportin, projektet kapitale etj.”. Gjithashtu, ai përmendi se “Regjistrimi i Popullsisë i vitit 2022 do ta mbulojë boshllëkun e të dhënave, duke krijuar kështu një bazë solide për hartimin, zbatimin dhe monitorimin e politikave publike, që do të ndikojnë drejtpërdrejt tek qytetarët tanë”. Duke parë zhvillimet e fundit përgatitore, Ministri Murati nuk la pa përmendur edhe pritjet e tij që ky Regjistrim i Popullsisë të jetë më cilësor sesa ai i vitit 2011. Ai tha se “ne do të angazhohemi në rritjen e besueshmërisë për informacionin statistikor, pjesëmarrjen aktive të qytetarëve dhe garantimin e përdorimit të informacionit statistikor në përmirësimin e sektorëve më rëndësi jetike për komunitetin dhe qytetarët e vendit”.
Në këtë debat publik foli edhe Zv. Kryeshefi Ekzekutiv i ASK-së, z. Ilir T. Berisha, i cili në fjalën e tij theksoi se “ASK-ja, përveç aktiviteteve në kuadër të kornizës së aktiviteteve dhe planit të punës është e angazhuar edhe me Projektin e Regjistrimit të Popullsisë, si aktivitetin më të rëndësishëm në sistemin statistikor”. Ai vuri në pah se “ndryshimet e mëdha demografike nuk përcillen nga regjistrat administrativë, andaj Regjistrimi i Popullsisë siguron ofrimin e këtyre analizave të detajuara”.
Menaxheri i Regjistrimit të Popullsisë, z. Avni Kastrati bëri një prezantim të shkurtër rreth Projektligjit të Regjistrimit të Popullsisë, duke cekur se pas përcaktimit të datës së Regjistrimit do të ketë një fushatë intensive të komunikimit dhe sensibilizimit për opinionin publik. Ndërkohë që, do të ketë konsultime të rregullta dhe takime me palët e interesit për pyetësorin e regjistrimit në fazat në vazhdim.
Debati publik vazhdoi me analizimin e draft projektligjit, ku palët e përfshira, u angazhuan për të dhënë kontributin e tyre.