
Mbahet Takimi i tretë koordinues me donatorë: Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave 2021
04/11/2020Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka mbajtuar Takimin e tretë koordinues me donatorë me temën: Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave 2021.
Për shkak të Pandemisë COVID-19 dhe masave që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës, Takimi III koordinues me donatorë u organizua në mënyrë virtuale.
Në këtë takim me donatorë ishte e pranishme edhe Ministrja e Financave dhe Transfereve, znj. Hykmete Bajrami, e cila falënderoi të gjithë donatorët për mbështetjen e vazhdueshme në procesin e Regjistrimit të Popullsisë 2021, si dhe premtoi që Regjistrimi i Popullsisë 2021 do ta ketë mbështetjen e plotë të Ministrisë së Financave dhe Transfereve. Po ashtu, ajo kërkoi nga ASK-ja që përgatitjet për Regjistrimin e Popullsisë 2021 të vazhdojnë sipas afateve të përcaktuara në Koncept Dokument. Në ndërkohë, ajo udhëzoi se ASK-ja duhet të konsultohet me Eurostatin se si të veprohet për shkak të sfidave që ka Kosova (siç janë Pandemia Covid-19, apo edhe zgjedhjet lokale). Sidoqoftë, ministrja Bajrami kërkoi që të mos politizohet procesi i Regjistrimit të Popullsisë 2021, duke kujtuar se detyrë e ASK-së është që t’i përgatit të gjithë skenarët e mundshëm për realizimin e sukseshëm të tij.
Kurse nga organizatat donatore, të pranishëm në takim ishin përfaqësues nga Eurostati, Zyra e BE-së në Kosovë, Organizatat e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNFPA, UNHCR, UNICEF, etj.), Banka Botërore, FMN, Ambasadat e akredituara në Kosovë, IOM, etj., të cilët shprehën gatishmërinë e tyre për ta ndihmuar këtë projekt. Porse, shprehën brengën e tyre për afatet kohore dhe procedurat e prokurimit.
Donatorët u njoftuan rreth proceseve të deritashme për Regjistrimin e Popullsisë 2021, konkretisht për Pilot Regjistrimin 2020, formimin e grupit punues për hartimin e draft –Ligjit mbi Regjistrimin e Popullsisë 2021, si dhe rreth sfidave që e presin këtë projekt kapital.