
Mbahet Takimi i parë për hartimin e Ligjit mbi Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave 2021
28/10/2020Në ambientet e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) më 28 tetor 2020 është mbajtur Takimi i parë konsultativ për hartimin e Ligjit për Regjistrimin e Popullsisë 2021. Në takim ishin të ftuar të gjithë anëtarët e Grupit Punes, të emëruar me Vendim të Ministrisë së Financave dhe Transfereve (MFT).
Me Vendimin Nr. 123/2020 të MFT-së për hartimin e Ligjit mbi Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave 2021 (Projektligj) është emëruar Ekipi Përgjegjës në përbërje prej 13 anëtarësh nga: ASK-ja, MFT-ja, ZKM-Zyra e Integrimeve Evropiane, Agjencia për Barazi Gjinore (ABGJ), Agjencioni Kadastral i Kosovës (AKK), Agjencioni i Regjistrit Civil të Kosovës (ARC), Ministria e Pushtetit Lokal (MPL), Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), ZKM-Zyra për Planifikim Strategjik, Akademia e Shkencave e Kosovës (ASHAK), Këshilli Statistikor, Universiteti, përfaqësues të OJQ-ve dhe përfaqësues nga UNFPA-ja.
Grupi punues u njoftua me zhvillimet e deritanishme rreth përgatitjeve për Regjistrimin e përgjithshëm të Popullsisë, si dhe sfidat me te cilat po ballafaqohet projekti përfshirë masat e ndërmarruara ne kuadër te kornizave ligjore pas Pandemisë COVID-19.
Në këtë takim u fol edhe rreth mbarëvajtjes së Pilot Regjistrimit të Popullsisë, të mbajtur nga 15 shtatori deri më 14 tetor 2020.
Grupi punues diskutoi për planin e finalizimit të Ligjit, dinamikën që duhet ndjekur, duke respektuar procedurat legjislative.
Grupi punues është pajtuar mbi planin dinamik si dhe aspektet e tjera teknike për realizimin në terren të Regjistrimit të Popullsisë 2021. Përkundër Pandemisë COVID-19 dhe masave administrativë nga Msinistria e Shëndetësisë janë propozuar modalitete të ndryshme për finalizimin e Ligjit në kohë, përfshirë diskutimet e grupit dhe palëve të tjera të interesit.
Është diskutuar që Ligji duhet t’i përfshijë aspektet specifike të vendit, si dhe të jetë në harmoni me standardet ndërkombëtare për një regjistrim të suksesshëm dhe të pranueshëm ndërkombëtarisht.
Përfshirja e palëve të tjera të interesit dhe e shfrytëzuesve gjatë hartimit të Ligjit është parë mëse e nevojshme.
Çështja e Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë 2021, konsiderohet me prioritet të lartë në agjendën shtetërore të Kosovës. Andaj, hartimi i Ligjit është thelbësor për realizimin e Regjistrimit të Popullsisë në terren.