Bashkpunimet e ASK-së

BINJAKËZIM:
SHKËMBIMI I EKSPERTIZËS DHE INFORMACIONIT
Projektet e binjakëzimit përbëjnë një iniciativë të Bashkimit Evropian, që ka për qëllim të ndihmojë vendet e reja anëtare, vendet kandidate ose vendet fqinje të fitojnë shkathtësitë dhe përvojat e nevojshme për përvetësimin, zbatimin dhe fuqizimin e legjislacionit të BE-së. Varësisht nga nevoja, projektet bëjnë bashkë ekspertizën e sektorit publik nga vendet anëtare të BE-së dhe vendet partnere me qëllim rritjen e aktiviteteve bashkëpunuese midis tyre. Projektet e Binjakëzimit janë projekte të përbashkëta të të dy administratave partnere, që ndahen pas një thirrjeje për propozime. Në këtë projekt binjakëzimi, Agjencia e Statistikave të Kosovës bashkëpunon me Statistikat e Danimarkës. Ekspertë nga vende të ndryshme anëtare të BE-së gjithashtu janë të përfshirë në projekt.

PROJEKTI I BINJAKËZIMIT I BE NË FUSHËN E STATISTIKAVE
Agjencia e Statistikave të Kosovës në partneritet me Statistikat e Danimarkës ka filluar realizimin e projektit të Binjakëzimit, që do të zgjasë 24 muaj. Synimi i përgjithshëm i projektit është të fuqizojë sistemin statistikor në Kosovë, me fokus ne përmirësimin e Llogarive Kombëtare dhe Statistikave të Biznesit në përputhje me standardet e BE-së, dhe modernizimin e sistemeve të TI-së dhe diseminimit përmes internetit.

Qëllimet e projektit të Binjakëzimit janë:
•     Zhvillimi i kapaciteteve të ASK-së dhe përkrahja e ASK-së në realizimin e aktiviteteve bazë të saj në një formë të standardizuar
• Përmirësimi i cilësisë së Llogarive Kombëtare dhe fillimi i prodhimit të llogarive në baza tremujore
• Përmirësimi i Statistikave Strukturore të Bizneseve dhe rritja e mbulueshmërisë së statistikave afatshkurta
• Përforcimi i sistemit të TI-së në ASK dhe diseminimit të statistikave përmes internetit

METODAT E PUNËS
Rezultatet e projektit do të realizohen duke aplikuar dialogun si metodë pune midis partnerëve të barabartë.
Transferimi i njohurive, duke përfshirë përvojën me rregulloret e BE-së në fushën e statistikave, do të realizohet përmes seminareve dhe takimeve të punës, që do të mbahen në Kosovë, gjatë projektit. Në kuadër të secilit komponent do të organizohen vizita zyrtare në vendet anëtare të BE-së me qëllim të shkëmbimit të
përvojave dhe informimit rreth praktikave më të mira në Bashkimin Evropian. Gjithashtu, do të ketë trajnime praktike lidhur me çështje si nxjerrja e mostrës, imputimet dhe sigurimi i cilësisë.

FUSHAT DHE REZULTATET E PRITURA
Projekti i Binjakëzimit është i organizuar në katër komponente. Rezultatet e pritura të projektit të Binjakëzimit janë të specifikuara për secilin komponent veç e veç.

KOMPONENTI 1:
NJË SISTEM CILËSIE PËR STATISTIKAT
Aktivitetet në komponentin 1 – Një Sistem Cilësie për Statistikat është dizajnuar për të fuqizuar kapacitetin e përgjithshëm të ASK-së dhe përkrahur ASK-në në realizimin e aktiviteteve në një formë të standardizuar. Aktivitetet në këtë komponent do të rezultojnë me:
•     Azhurnimin e planit statistikor të punës
• Përgatitjen e politikave dhe udhërrëfyesve për zbatimin e sistemit të cilësisë

KOMPONENTI 2:
LLOGARITË KOMBËTARE
Aktivitetet në komponentin 2 do të rrisin përputhshmërinë me standardin aktual të BE-së,
ESA 2010. Pritet të realizohen këto aktivitete:
•  Rishikimi i Llogarive Kombëtare dhe analizimi i burimeve të të dhënave, në dispozicion
• Rishikimi i prodhimit të llogarive në baza vjetore me qasjen e prodhimit dhe shpenzimeve dhe me çmime konstante dhe aktuale, sipas ESA 2010;
• Zbatimi i rekomandimeve relevante të Planit të Veprimit për përpilimin dhe publikimin e statistikave gjithëpërfshirëse mbi Llogaritë Kombëtare dhe tregun e punës dhe rishikimi i Llogarive Kombëtare vjetore bazuar në burime të reja dhe metodologjinë e përmirësuar

KOMPONENTI 3:
STATISTIKAT E BIZNESIT
Aktivitetet në komponentin 3 do të përmirësojnë Statistikat Strukturore të Bizneseve, do të rrisin mbulueshmërinë e statistikave afatshkurta dhe përmirësojnë Regjistrin Statistikor të Bizneseve.
Në kuadër të këtij komponenti priten këto rezultate:
• Përmirësimi i Statistikave Strukturore të Bizneseve, përfshirë mbledhjen, përpunimin e të dhënave, afatet kohore dhe mbulueshmërinë

• Përgatitja e indikatorëve të rinj afat shkurtër, përfshirë indeksin e prodhimit industrial dhe çmimet e prodhimit.
• Përgatitja e statistikave afat shkurta të caktuara, sipas NACE Rev. 2
• Përmirësimet e Regjistrit Statistikor të Bizneseve

KOMPONENTI 4:
TI DHE DISEMINIMI
Aktivitetet në komponentin 4 janë dizajnuar për të përmirësuar sistemet e TI-së dhe cilësinë e shërbimeve të TI-së për ASK-në. Por, komunikimi përmes internetit, aktivitetet që lidhen me shtypin, mediat dhe marketingun e shërbimeve statistikore gjithashtu do të përfshihen në këtë komponent.
Rezultatet e pritura në këtë komponent janë:
• Fuqizimi i sistemit të TI-së
• Përmirësimi i diseminimit të statistikave përmes internetit
• Sigurimi i specifikimeve për një rrjet të brendshëm (Intranet)
• Përmirësimi i faqes së internetit të ASK-së dhe përdorimit të saj
• Instalimi i bazës së të dhënave për diseminimin dhe në dispozicion për publikun

FINANCIMI
Ky projekt financohet nga Bashkimi Evropian në kuadër të Programit IPA 2012 – KS 12 IB ST 01 me një shumë prej 1,500,000 EUR.

 

Raportet

4 - INFORMATION TECHNOLOGY SYSTEM