VAZHDON PUNIMET KONFERENCA REKOS “JAVA E REGJISTRIMIT TË POPULLSISË NË KOSOVË”

  • 09/11/2022

Konferenca e Javës së Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave ka vazhduar sot punimet e ditës së dytë, me diskutimet mbi rëndësinë e projektit nacional të Regjistrimit të popullsisë.

Në hapjen e konferencës zv.Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, z. Ilir Berisha foli mbi rëndësinë e të dhënave të besueshme zyrtare për tërë sistemin statistikor kombëtar. Të pranishëm në ditën e dytë të konferencës ishin përfaqësues nga agjencitë statistikore të rajonit, përfaqësues nga institucionet ekzekutive, agjencitë shtetërore, anëtarë të Akademisë së Shkencave të Kosovës, përfaqësues nga universitet, hulumtues, përfaqësues nga sektori i biznesit, publicistë e gazetarë.

 

Drejtori i Entit të Statistikave të Republikë së Maqedonisë së Veriut, z. Apostol Simovski përmendi para të pranishmëve mësimet e nxëna nga Regjistrimi i Popullsisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe praktikat më të mira shtetërore, për një regjistrimin gjithëpërfshirës dhe cilësor.

 

Kryesuesja e Këshillit Statistikor të Kosovës, znj. Rahmije Topxhiu Mustafa foli mbi rëndësinë e regjistrimit të popullsisë, dhe nevojat për të dhëna të freskëta e cilësore për krijimin e bazës së të gjitha hulumtimeve shkencore, dhe mundësitë e prodhimit të indikatorëve statistikor të rëndësishëm për vendin.

 

Z. Florim Isufi, përmendi rëndësinë e kualitetit të të dhënave statistikore dhe gjithëpërfshrjen si garantues për realizimin e procesit të mbledhjes, analizimit dhe publikimit të të dhënave statistikore të regjistrimit të popullsisë. Znj. Gillian Green, Lidere e Projektit ’’Përforcimi i sistemit statistikor të Kosovës” theksoi rëndësinë e implementimit të rregulloreve e standardeve evropiane për një regjistrimin cilësor, kur prezantoi pjesë të rëndësishëm nga Kodi i Praktikës së Statistikave Evropiane.

Menaxheri i Regjistrimit të Popullsisë, z. Avni Kastrati prezantoi objektivat strategjike, zhvillimet e fundit teknologjike, sfidat e përparësitë për vitin 2023. Takimi u përmbyll me diskutimet mbi metodologjinë, qasjet implemetuese, dhe fazat e realizimit të projektit.

Java e Regjistrimit të Popullsisë do të zgjasë deri me 11 nëntor 2022, për aktivitet e së cilës opinioni publik në Kosovë do të njoftohen në kohë. Ky aktivitet organizohet me mbështetjen e Fondit për Popullsi i Kombeve të Bashkuara, UNFPA zyra në Kosovë.