Takim i komitetit drejtues të fondit të mirëbesimit

  • 21/03/2011

Në kuadër te takimeve te rregullta dhe intensifikimit te përgatitjeve per Regjistrimin e Popullsisë është takuar Komiteti Drejtues i Fondit të Mirëbesimit shumëdonatorësh për Regjistrimin e Popullsise, Ekonomive familjare dhe Banesave në Kosovë. Pos anëtarëve të këtij Komiteti, të pranishëm ishin edhe ministri i Ministrisë së Administratës Publike, z. Mahir Yagcilar, në cilësinë e kryetarit të Komitetit Drejtues, përfaqësuesi i Ministrisë së Ekonomisë dhe të Financave, z. Melvin Asin nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë, z. Robert Watt (DFID), z. Samuel Waelty (SDC), z. Anders Berlin (SIDA), z. Pierre Weber (Luxemburgu) si dhe kryeshefi i Entit të Statistikës së Kosovës, z. Ibrahim Shabani dhe përfaqësuesit e UNOPS-it, i cili menaxhon me Fondin e Mirëbesimit të Regjistrimit.

Ministri i MAP-it në hapje të këtij takimi ka theksuar rëndësinë e Regjistrimit 2011 dhe ka shprehur interesimin për një realizim te suksesshëm të këtij Projekti, duke pasur parasysh dhe përkushtimin dhe punën që është bërë nga gjithë faktorët relevantë të përfshirë në përgatitjen e tij.

Kryeshefi i ESK-ut para Komitetit Drejtues ka shpalosur raportin mbi përgatitjet e bëra në procesin e regjistrimit  deri më tash dhe ka njoftuar të pranishmit se janë ngritur edhe Komisionet komunale të regjistrimit, materiali regjistrues është paketuar dhe shpërndarë nëpër kuti të veçanta,është përzgjedhur personeli ,janë mbajtur trajnimet e nevojshme për mbikëqyrje dhe janë duke u mbajtur edhe trajnimet për regjistrues. Gjatë ditëve në vijim, ka thënë z. Shabani, pritet të bëhet edhe shpërndarja e materialit nëpër komuna, më  22-26 mars. Ai ka ofruar informacion edhe për hapat që parashihet të kryhen gjatë dhe pas procesit të regjistrimit.

Gjithashtu, përfaqësuesi i UNOPS-it ka raportuar sa i përket fushave që ka mbuluar dhe menaxhuar në këtë fazë përgatitore të projektit të Regjistrimit dhe planin e veprimit gjatë ditëve në vazhdim.

Në këtë takim theks i veçantë iu kushtua edhe fushatës sensibilizuese dhe informuese, e cila luan një rol të rëndësishëm për të qartësuar dhe sjellur informacionin e saktë dhe të drejtë deri tek qytetarët mbi mënyrën e realizimit, rëndësinë dhe qëllimin e Regjistrimit.

Donatorët e pranishëm vlerësuan përgatitjet që po bëhen si dhe shprehën gatishmërinë e tyre që edhe më tutje të ofrojnë mbështetjen e nevojshme në mënyrë që Regjistrimi i Popullsisë 2011 në Kosovë të rezultojë i sukseshëm dhe i pranueshëm nga të gjitha palët.

Ishte konstatim i përbashkët, në këtë takim, se procesi i Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë do të realizohet ashtu siç është planifikuar nga 1-15 prill 2011.

Komiteti Drejtues i Fondit të Mirëbesimit ShumëDonatoresh ofron mbikëqyrjen operacionale dhe drejtimin e politikave të Fondit te Mirëbesimit të Regjistrimit te Popullsisë.