Statistikat e Transportit, TM2 2021
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Statistikat e Transportit dhe Telekomunikimit për tremujorin e dytë (TM2) 2021 me të dhëna mbi Transportin Ajror, Hekurudhor, Rrugor dhe Telekomunikimin.
Përmes këtij publikimi janë prezantuar të dhëna si në vijim: Në territorin e Kosovës, ka gjithsej 333 km binarë hekurudhorë për transport.
Në tremujorin e dytë (TM2) të vitit 2021, numri i pasagjerëve që kanë shfrytëzuar trenin si mjet udhëtimi ishte rreth 15 mijë, ku krahasuar me tremujorin e dytë (TM2) të vitit 2020, numri i pasagjerëve është rritur për 123%. Kjo për arsye se në vitin e kaluar, në periudhën e njëjtë referuese, ishte ndaluar transporti i udhëtarëve për shkak të pandemisë Covid-19.
Transporti i mallrave me tren në TM2 2021 ishte rreth 148 mijë ton, ku krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020, ka rritje për 2.7%.
Sa i përket numrit të fluturimeve në TM2 2021 ishte 1 504, ku në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar (TM2 2020) ka rritje.
Numri i udhëtarëve, që kanë shfrytëzuar aeroplanin si mjet transporti në TM2 2021 ishte rreth 390 mijë, ku në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar (TM2 2020) ka rritje. Edhe kjo për shkak të pandemisë Covid-19, ku në periudhën e njëjtë referuese, ishte ndaluar transporti i udhëtareve.