Statistikat e Mirëqenies Sociale, Qershor 2022

  • 25/07/2022

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikon “Statistikat e Mirëqenies Sociale” për muajin qershor 2022

Ky publikim ofron të dhëna për numrin e përfituesve nga: skema e ndihmës sociale; skema e pensioneve bazë të moshës; skema e pensioneve kontributpaguese të moshës; skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara; skema e pensioneve për personat paraplegjik dhe tetraplegjik; skema për mbështetje materiale për familjet me fëmijë me aftësi të kufizuara të përhershme; skema për pensionet familjare; skema për pensionet invalidore; skema e pensioneve për familjet e dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe veteranëve të luftës; skema e pensioneve të Trepçës; skema e pensioneve për Trupat Mbrojtëse të Kosovës, të Forcës së Sigurisë së Kosovës; skema e kompensimeve për personat e verbër; të dhënat për numrin e fëmijëve të braktisur etj.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim rezulton se gjatë muajit qershor 2022 nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 25 444 familje me gjithsej 100 395 anëtarë, dhe nga skema për mbështetje materiale familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara kanë përfituar 2 612 familje.

Ndërkaq, nga skemat pensionale rezulton se: nga skema e pensioneve bazë të moshës janë 150 910 përfitues; nga skema e pensioneve kontributpaguese të moshës janë 50 207 përfitues; nga skema për pensionet familjare janë 3 361 përfitues; nga skema për pensionet invalidore janë 64 përfitues; nga skema për pensionet e Trepçës janë 1 871 përfitues; nga skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës janë 1 257 përfitues; nga skema e pensioneve për Forcën e Sigurisë së Kosovës janë 662 përfitues; nga skema e kompensimeve për personat e verbër janë 1 796 përfitues; nga skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara janë 18 362 përfitues; nga skema për pensionet e personave paraplegjik dhe tetraplegjik janë 2 646 përfitues; nga skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës janë 13 190 përfitues; dhe nga skema për veteranët e luftës janë 36 819 përfitues.

Ndërsa, gjatë muajit qershor 2022 nuk është raportuar asnjë rast i fëmijëve të braktisur.