Statistikat e Mirëqenies Sociale, Gusht 2022
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Statistikat e Mirëqenies Sociale” Gusht 2022.
Ky publikim ofron të dhëna për numrin e përfituesve nga skema e ndihmës sociale, skema e pensioneve bazë të moshës, të pensioneve kontributpaguese të moshës, skemën e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara, skemën e pensioneve për personat paraplegjik dhe tetraplegjik, skemën për mbështetje materiale për familjet me fëmijë me aftësi të kufizuara të përhershme, skemën për pensionet familjare, skemën për pensionet invalidore, skemën e pensioneve për familjet e dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe veteranëve të luftës, skemën e pensioneve të Trepçës, skemën e pensioneve për Trupat Mbrojtëse të Kosovës, të Forcës së Sigurisë së Kosovës, skemën e kompensimeve për personat e verbër, të dhëna për numrin e fëmijëve të braktisur etj.
Sipas rezultateve të dala nga ky publikim rezulton se gjatë muajit gusht 2022: nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 24 627 familje me gjithsej 97 124 anëtarë, dhe nga skema për mbështetje materiale familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara kanë përfituar 2 784 familje.
Ndërkaq, nga skema e pensioneve bazike të moshës janë 125 515 përfitues; nga skema e pensioneve kontributpaguese të moshës janë 45 462 përfitues, nga skema për pensionet familjare janë 3 315 përfitues, nga skema për pensionet invalidore janë 61 përfitues, nga skema për pensionet e Trepçës janë 1 820 përfitues, nga skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës janë 1 265 përfitues, nga skema e pensioneve për Forcën e Sigurisë së Kosovës janë 673 përfitues, nga skema e kompensimeve për personat e verbër janë 1 848 përfitues, nga skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara janë 19 034 përfitues, nga skema për pensionet e personave paraplegjik dhe tetraplegjik janë 2 497 përfitues- nga skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës janë 13 152 përfitues dhe nga skema për veteranët e luftës janë 36 761 përfitues.
Ndërsa gjatë muajit Gusht 2022 është braktisur 1 (një) fëmijë.