Statistikat e Lindjeve, Vdekjeve, Kurorëzimeve dhe Shkurorëzimeve, Tetor 2021
Agjencia e Statistikës së Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat preliminare në baza mujore për Lindjet, Vdekjet , Kurorëzimet dhe Shkurorëzimet për muajin tetor 2021
Këto të dhëna publikohen duke u bazuar në të dhëna administrative.
Sipas dispozitave ligjore mbi udhëheqjen e regjistrave themeltarë për Lindjet, Vdekjet, Kurorëzimet dhe Shkurorëzimet, rastet regjistrohen në mënyrë të obligueshme në regjistrat e lartë-cekur, në vendin në të cilin ka ndodhur ngjarja, pa marrë parasysh se personat me të cilët lidhet ngjarja, vendbanimin e përhershëm e kanë në atë vend ose në ndonjë vend tjetër.
Në muajin tetor janë regjistruar 2 325 lindje (brenda dhe jashtë Kosovës), ku krahasuar me muajin shtator 2021 ka rënie të numrit të lindjeve për (-6.2%). Prej këtyre lindjeve të regjistruara në muajin tetor, 1 195 lindje janë meshkuj dhe 1 130 lindje janë femra.
Ndërsa, janë regjistruar gjithsej 993 raste të vdekjeve (brenda dhe jashtë Kosovës), ku krahasuar muajin tetor me muajin shtator 2021 ka rënie të numrit të vdekjeve për (-38.%). Prej vdekjeve të regjistruara 571 raste janë meshkuj dhe 422 raste janë femra.
Në muajin tetor 2021 janë regjistruar gjithsej 1 693 kurorëzime (brenda dhe jashtë Kosovës), ku krahasuar me muajin shtator ka rënie të numrit të çifteve të kurorëzuara (-2.5%).
Kurse, krahasuar numrin e shkurorëzimeve të muajit tetor me muajin shtator 2021, del se ka një rritje për (1.5%). Gjithsej janë regjistruar 138 raste të çifteve të shkurorëzuara.
ASK-ja do të vazhdojë me grumbullimin e të dhënave përmes pyetësorëve të veçantë statistikorë, për Lindjet DEM-1,Vdekjet DEM-2 Kurorëzimet DEM-3 dhe Shkurorëzimet SHK-1, gjatë këtij viti kalendarik, sikurse deri më tani. Grumbullimi i të dhënave vazhdon të bëhet çdo muaj dhe do të shërbejë për krijimin e bazës së të dhënave, si dhe krahasimin me të dhënat administrative.
Burimi i të dhënave të këtij Buletini është Agjencia e Regjistrit Civil të Kosovës (ARC).