Statistikat e Lindjeve, Vdekjeve, Kurorëzimeve dhe Shkurorëzimeve, Qershor 2022
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat preliminare në baza mujore për Lindjet, Vdekjet, Kurorëzimet dhe Shkurorëzimet për muajin qershor 2022
Këto të dhëna publikohen duke u bazuar në të dhëna administrative.
Sipas dispozitave ligjore mbi udhëheqjen e regjistrave themeltarë për Lindjet, Vdekjet, Kurorëzimet dhe Shkurorëzimet, rastet regjistrohen në mënyrë të obligueshme në regjistrat e lartë-cekur, në vendin ku ka ndodhur ngjarja, pa marrë parasysh se personat me të cilët lidhet ngjarja, vendbanimin e përhershëm e kanë në atë vend, ose në ndonjë vend tjetër.
Në muajin qershor janë regjistruar 2 395 lindje (brenda dhe jashtë Kosovës). Prej këtyre lindjeve të regjistruara, 1 257 lindje janë meshkuj dhe 1 138 lindje janë femra.
Ndërsa, janë regjistruar gjithsej 719 vdekje (brenda dhe jashtë Kosovës). Prej vdekjeve të regjistruara, 434 janë meshkuj dhe 258 janë femra.
Në muajin qershor 2022 janë regjistruar gjithsej 1 205 kurorëzime (brenda dhe jashtë Kosovës), kurse shkurorëzime janë regjistruar 129 raste.
ASK-ja do të vazhdojë me grumbullimin e të dhënave përmes pyetësorëve të veçantë statistikorë, për Lindjet DEM-1, Vdekjet DEM-2, Kurorëzimet DEM-3, dhe Shkurorëzimet SHK-1, sikurse deri më tani. Grumbullimi i të dhënave vazhdon të bëhet çdo muaj dhe do të shërbejë për krijimin e bazës së të dhënave, si dhe krahasimin me të dhënat administrative.
Burimi i të dhënave të këtij publikimi është Agjencia e Regjistrit Civil të Kosovës (ARC).
[1] Shfrytëzuesve të të dhënave u rekomandohet, që këto të dhëna të merren si të dhëna preliminare dhe jo si të dhëna përfundimtare.