Statistikat e Kulturës, 2020

  • 15/10/2021

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Statistikat e Kulturës” për vitin 2020

Ky publikim ofron të dhëna statistikore lidhur me aktivitetet e teatrove, shtëpive të kulturës, galerive, muzeve, bibliotekave, kinemave, baletit, filarmonisë, ansamblit dhe qendrës kulturore për fëmijë. 

Për shkak të masave të ndërmarra nga Qeveria e Republikës së Kosovës për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19, në periudha të caktuara gjatë vitit 2020 ka pasur mbyllje a kufizim të zhvillimit të shumë aktiviteteve në vend, përfshirë aktivitetet kulturore. Andaj, kjo ka ndikuar në rënien e numrit të të gjitha aktiviteteve kulturore: aktivitetet e bibliotekave, kinemave, muzeve, galerive të artit, teatrove, filarmonisë, baletit dhe shtëpive të kulturës.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, rezulton se numri i shfaqjeve në Teatrin Kombëtar në Prishtinë ishte 60 shfaqje teatrale dhe reprizë, ndërsa kishte 3 509 shikues; numri i shfaqjeve të realizuara në Teatrin e Fëmijëve “Dodona” ishte 50 shfaqje teatrale dhe reprizë, me 3 767 shikues; numri i shfaqjeve të realizuara në Teatrin “Oda” ishte 23 teatrale dhe reprizë, me 2 706 shikues.

Në galeritë e arteve, janë realizuara 17 ekspozita, ku kishte një numër prej 15 242 vizitorëve.  

Numri i filmave të shfaqur në Kinemanë “Cineplexx” ishte 54, prej tyre 3 filma vendorë dhe 51 filma të huaj, ndërsa numri i shikuesve ishte 112 718; numri i filmave të shfaqur në Kinemanë “Doku-Kino” ishte 18, prej tyre një (1) film vendor dhe 17 filma të huaj, ndërsa numri i shikuesve ishte 966; Numri i filmave të shfaqur në Kinemanë “Jusuf Gërvalla” ishte 32, prej tyre 10 filma vendorë dhe 22 filma të huaj, ndërsa numri i shikuesve ishte 1 920.

Fondi i librave në biblioteka ishte 1 884 872, ndërsa numri i lexuesve ishte 39 668.

Numri i muzeve dhe shtëpive muze ishte 72, ndërsa numri i vizitorëve ishte 22 988.