Statistikat e Kulturës, 2013
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Statistikat e Kulturës 2013”.
Ky publikim ofron të dhëna statistikore me aktivitetet kulturore të kinemave, teatrove, shtëpive të kulturës, galerive, muzeve, bibliotekave, baletit, filarmonisë për vitin 2013. Po ashtu, ky publikim përmban të dhëna për numrin e të punësuarve nëpër këto institucione.
Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, rezulton se numri i filmave të shfaqur në kinematë dhe shtëpitë e kulturës nëpër komuna në vitin 2013 ishte 127 prej tyre 43 (33.9 %) filma vendorë, ndërsa 84 (66.1% )të huaj me gjithsej numër të shikuesve 60.414. Krahasuar me vitin 2012 numri i filmave të shfaqur në vitin 2013 ka shënuar rënie për 33.5%. Po ashtu, numri i shikuesve ka shënuar rënie për 22.2%.
Numri i shfaqjeve në Teatrin Kombëtar në Prishtinë në vitin 2013 ka qenë 8 premiera dhe 150 repriza, ndërsa numri i shikuesve 7.500. Krahasuar me vitin 2012 numri i shikuesve në vitin 2013 ka pasur rritje për 0.2%.
Numri i shfaqjeve të realizuara në Teatrin Oda ka qenë 4 premiera dhe 67 repriza, ndërsa numri i shikuesve ka qenë 10.900. Krahasuar me vitin 2012 numri i shikuesve në vitin 2013 është rritur për 5.2%.
Numri i ekspozitave të realizuara në galeritë e arteve dhe në shtëpitë e kulturës nëpër komuna ka qenë 176, ndërsa numri i vizitorëve 30.290. Krahasuar me vitin 2012 numri i ekspozitave në vitin 2013 është rritur për 2.9%, kurse numri i vizitorëve në vitin 2013 është rritur për 5.7%.
Fondi i librave në biblioteka ishte 1.521.892, me numër të lexuesve 170.001. Krahasuar me vitin 2012 fondi i librave në biblioteka në vitin 2013 është rritur për 0.4%. Kurse numri i lexuesve në vitin 2013 është rritur për 6.4%.
Për më shumë informata lidhur Statistikat e Kulturës 2013, vizitoni: http://ask.rks-gov.net/sq/agjencia-e-statistikave-te-kosoves/sociale/kultura-dhe-sporti