Statistikat e Jurisprudencës për Persona Madhorë, 2018

  • 03/09/2019

Rritet numri i të akuzuarve në vitin 2018

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Statistikat e Jurisprudencës për Persona Madhorë” për vitin 2018

Ky publikim ofron të dhëna statistikore për persona madhorë, të akuzuar dhe të dënuar për vepra penale, si dhe personat e dënuar për kundërvajtje në vitin 2018. Këto të dhëna ofrohen sipas gjinisë, nacionalitetit, mënyrës së zgjidhjes së aktakuzës, paraqitësit të aktakuzës, llojit të dënimit etj.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, rezulton se në gjykatat themelore dhe degët e tyre gjatë vitit 2018, të akuzuar për vepra penale kanë qenë gjithsej 28 696 persona, prej tyre me aktgjykim gjykues janë dënuar 19 721 persona. Nga numri i përgjithshëm i të dënuarve, 1 011 ishin femra.

Krahasuar me vitin 2017, numri i të akuzuarve në vitin 2018 është më i madh për 1 990 persona ose shprehur në përqindje për 7.4%. Ndërsa, numri i të dënuarve është më i madh për 968 persona ose 5.2%, krahasuar me vitin 2017.