Statistikat Afatshkurtëra të Industrisë, TM1 2019
Rritet vëllimi industrial
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar statistikat afatshkurtra të industrisë, duke paraqitur indeksin e vëllimit industrial për TM1 2019
Kjo anketë, me të dhënat që ofron, synon ta paraqesë ecurinë në industri: B - Nxjerrëse, C - Përpunuese, D - Furnizim me rrymë, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar, dhe E - Furnizim me ujë, veprimtari të menaxhimit dhe trajtimit të mbeturinave, në periudha tremujore, nëpërmjet të cilave kuptohet zhvillimi i ciklit në industri.
Krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak (TM1 2018), rritje kishte në sektorët: furnizim me ujë, veprimtari të menaxhimit dhe trajtimit të mbeturinave (E) me 0.48 %; industria përpunuese (C) me 2.32%; industria nxjerrëse (B) me 5.98%; si dhe furnizim me rrymë, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar (D) me 1.97%.
Ndërkaq, krahasuar tremujorin e parë të vitit 2019 me tremujorin e katërt 2018, kishte rritje te: furnizimi me ujë, veprimtaritë e menaxhimit dhe trajtimit të mbeturinave (E) për 44.50%; furnizimi me rrymë, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar (D) për 6.82%.
Kurse rënie kishte te: industria nxjerrëse (B) për (-33.59%) dhe industria përpunuese (C) për (-32.40%).