Shpallen rezultatet përfundimtare të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave

  • 26/09/2012

 Agjencia e Statistikave të Kosovës ka bërë publike të dhënat e dala nga Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë, të kryer në prill të vitit 2011. Me këtë rast u organizua një Konferencë Ndërkombëtare, në të cilën morën pjesë: Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Znj. Edita Tahiri dhe ministra të tjerë, Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian dhe Përfaqësuesi Special i BE-së për Kosovë, Z. Samuel Zhbogar; Drejtori i Eurostat-it dhe njëherësh Kryesues i Grupit Drejtues të IMO-së (Operacioni Monitorues Ndërkombëtar) për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë 2011, Pieter Everears; Drejtori i Divizionit Statistikor i Kombeve të Bashkuara (UNSD)dhe anëtar i Grupit Drejtues i IMO-së, Profesor Paul Cheung; shefi i Komitetit Drejtues të IMO-së, John Kelly; përfaqësuesi i Istat-it, Andrea Mancini; Përfaqësues të Instituteve të Statistikave Rajonale; Përfaqësues të Institucioneve dhe organizatave vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë, si dhe mysafirë të tjerë. Konferenca u organizua më 21 shtator 2012.

Këto rezultate paraqesin të dhënat e para të Regjistrimit të Popullsisë në Kosovë, që nga viti 1981, të njohura ndërkombëtarisht.

Me këtë rast, Zv.Kryeministrja e Republikës së Kosovës, Znj. Edita Tahiri, ka potencuar rëndësinë shumëdimensionale të këtyre të dhënave, dhe se ato do të kenë ndikime pozitive në shumë fusha të zhvillimit, si në: ekonomi, arsim, demografi, studime shkencore, zhvillimin e komunave, e fusha të tjera. Po ashtu, ajo ka theksuar se “këto të dhëna mundësojnë analiza dhe planifikime të bazuara në shifra të sakta socio-ekonomike, që i kanë munguar shtetit tonë për një kohë të gjatë”. Më pas, Znj. Tahiri nuk ka lënë pa falënderuar të gjithë akterët e inkuadruar në këtë “proces shumëvjeçar, në të cilën kanë punuar me përkushtim e kompetencë shumë institucione vendore dhe ndërkombëtare.”
Nga ana tjetër, Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian dhe Përfaqësuesi Special i BE-së për Kosovë, Samuel Zhbogar, ka theksuar faktin se të dhënat nga Regjistrimi i Popullsisë janë një infrastrukturë e plotë statistikore, që kanë rëndësi qenësore për aspiratat e Kosovës për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian.
“Duke ditur orientimin evropian të Qeverisë së Kosovës, ne jemi të sigurt se ajo do t’i shfrytëzojë të dhënat e Regjistrimit të Popullsisë për të planifikuar politika dhe shërbime më të mira për qytetarët e Kosovës, në përputhje me Agjendën e Stabilizimit dhe Asociimit. Këto, sigurojnë një kornizë për qeverisje të mirë, duke u mundësuar qeverive që të bëjnë planifikime politikash, të informuara në mënyrën më transparente dhe llogaridhënëse”, ka thënë ndër të tjera Z. Zhbogar.
Ndërkaq, Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Z. Isa Krasniqi, ka bërë publike të dhënat përfundimtare të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave, duke e quajtur këtë proces “moment historik për Kosovën”. Ai ka theksuar se “të dhënat nga Regjistrimi, të cilat i kemi publikuar sot, janë një thesar. Shpresoj që ky thesar do të përdoret në mënyrë efikase dhe aktive për qëllime planifikimi nga ana e institucioneve dhe agjencive qeveritare, organizatave jo-qeveritare, personat e përfshirë në arsim, hulumtuesit e ndryshëm dhe të tjerët, në mënyrë që të jenë të dobishme për popullin. Sepse, vetëm në këtë mënyrë, përpjekjet tona për sigurimin e të dhënave të besueshme dhe të pasura, do të arrijnë qëllimin përfundimtar të kontributit në zhvillimin e përgjithshëm të Kosovës”.

Të dhënat e publikuara sigurojnë informata të detajuara dhe të sakta për popullsinë e përgjithshme sipas komunave dhe informatat themelore të përditësuara për banim, karakteristikat demografike dhe socio-ekonomike të popullsisë. 

Bashkimi Evropian ka investuar rreth 6 milionë euro në procesin e Regjistrimit të Popullsisë, përderisa buxheti i përgjithshëm ka qenë rreth 10 milionë euro.  Përveç Qeverisë së Kosovës, donatorët e tjerë janë: SIDA (Suedia), DFID (Britania e Madhe), SDC (Zvicra) dhe Qeveritë e Luksemburgut dhe Danimarkës. I gjithë buxheti është menaxhuar nga Fondi i Mirëbesimit, i administruar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve (UNOPS).
Përveç anës financiare, Bashkimi Evropian ka ofruar mbështetje të konsiderueshme për Regjistrimin e Popullsisë në Kosovë përmes Projektit të Asistencës Teknike (EUCEP), si dhe me përfshirjen e EUROSTAT-it në themelimin dhe udhëheqjen e Operacionit Monitorues Ndërkombëtar (IMO).