Shpallen rezultatet përfundimtare të Anketës së Grupimeve të Treguesve të Shumëfishtë 2013-2014
Në Konferencën e titulluar “Investimi në Fëmijë” organizuar nga Zyra e Kryeministrit dhe me pjesëmarrjen e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, UNICEF-in, UNFPA-në dhe të institucioneve në nivel qendror e lokal, si dhe të organizatave ndërkombëtare e joqeveritare janë publikuar gjetjet nga Anketa e Grupimeve të Treguesve të Shumëfishtë (e njohur botërisht si MICS).
Konferencën e hapi Zv.Kryeministri i Republikës së Kosovës Z. Kujtim Shala, kurse panelistë të tjerë ishin: Z. Isa Krasniqi, Kryeshef Ekzekutiv i ASK-së; Znj. Lajla Omar Gad, shefe e Zyres së UNICEF-it në Kosovë; Znj. Visare Mujko Nimani, përfaqësuese e Zyres së UNFPA-së në Kosovë; Z. Habit Hajredini, drejtor i Zyres për Qeverisje të Mirë, pranë ZKM-së. Kurse, prezantimin e rezultateve e bënë Cairan O’Toole, specialist i Monitorimit të të Drejtave të Fëmijëve në UNICEF dhe Visare Mujko Nimani.
Në Konferencë pati edhe diskutime të tjera, nga: Jan-Peter Olters, drejtor i Bankës Botërore në Kosovë; Elena Gaia, specialiste për analiza të politikave, nga Zyra Rajonale e UNICEF-it; Julia Karpati, EPRI (Instituti Hulumtues për Politika Ekonomike) etj.
Anketa e MICS-it është realizuar në Kosovë në vitet 2013-2014 nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, si pjesë e programit global të MICS-it, të krijuar nga UNICEF-i në vitet 1990. MICS-i në Kosovë është strukturuar në dy anketa të ndara: me popullsinë shumicë me 4 800 familje; dhe me komunitetin Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Kosovë, me 1 280 familje. Këto anketa kanë përfshirë 25 000 respondentë: burra dhe gra të moshës 15-49 vjeçare dhe fëmijë nën moshën 5 vjeçare.
MICS-i siguron informatat e fundit për vlerësimin e gjendjes së fëmijëve, femrave dhe meshkujve, si dhe të dhëna për monitorimin e strategjive dhe planeve ekzistuese të veprimit.
Rezultatet kyçe të përzgjedhura nga MICS-i janë:
Mbrojtja e Fëmijës
- Regjistrimi i lindjes së Fëmijës – 88% e lindjeve të fëmijëve, nën moshën 5 vjeçare janë raportuar si të regjistruar. 1/4 e nënave të fëmijëve të paregjistruar nuk dinë se si ta regjistrojnë lindjen e fëmijës;
- Puna e fëmijëve – 11 % e fëmijëve të moshës 5-17 vjeçare janë të përfshirë në punë;
- Dhuna në Familje – 33 % e grave dhe 15 % e burrave deklarojnë se bashkëshorti arsyetohet kur godet apo rrah bashkëshorten e tij së paku një herë në pesë raste;
- Disiplina e Fëmijës – 61 % e fëmijëve të moshës 1-14 vjeç i janë nënshtruar së paku një forme të ndëshkimit psikologjik ose fizik nga anëtarët e familjes. Ndërkaq, 6% e fëmijëve i janë ndëshkuar ndëshkimit të rëndë fizik;
Edukimi
- Arsimi parafillor/gatishmëria për shkollë – 14 % e fëmijëve të moshës 36-59 muajshe ndjekin programe të organizuara të edukimit në fëmijërinë e hershme; 66 % e fëmijëve në moshën 36-59 muajsh ishin angazhuar në aktivitete që promovojnë nxënien dhe përgatitjen për shkollë nga anëtarët e rritur të familjes; dhe, 83 % e fëmijëve 36-49 muajsh janë në hap në aspektin zhvillimor; vetëm 18 % janë në hap në aspektin e shkrim-numërimit me dallim të konsiderueshëm sipas pasurisë. Vetëm 1 në 3 fëmijë nën moshën 5 vjeçare ka 3 ose më shumë libra për fëmijë;
- Edukimi fillor – 98 % e fëmijëve të moshës së shkollës fillore (mosha 6-10 vjeç) shkojnë në shkollë; 96 % e fëmijëve të moshës së shkollës së mesme të ulët (11-14 vjeç) shkojnë në shkollë të mesme të ulët ose nivel më të lartë
- Edukimi i mesëm i lartë – 4 në 5 ose 82% e fëmijëve të moshës së shkollës së mesme të lartë (15-18 vjeç) shkojnë në shkollën e mesme të lartë ose në nivel më të lartë; nga 1 në 5 fëmijët e mbetur, shumica (14%) nuk shkojnë fare në shkollë;
Shëndeti dhe të ushqyerit
- Vdëkshmëria e fëmijëve – për çdo 1 000 fëmijë të lindur gjallë, 15 vdesin para ditëlindjes së tyre të 5-të dhe 12 vdesin para ditëlindjes së tyre të parë.;
- Gjidhënia dhe të ushqyerit e foshnjës – më pak se gjysma e grave (45%) i vendosin të posalindurit në gji brenda një ore pas lindjes dhe vetëm 2 në 5 fëmijë 0-5 muajsh (40%) janë ushqyer vetëm me gji
- Gjendja e ushqyeshmërisë – gati 5 % e fëqmijëve në Kosovë nën moshën 5 vjeçare janë të pazhvilluar dhe vetëm 2 në 3 fëmijë (63%) në moshën 6-23 muajsh konsumojnë ushqim nga 4 apo më shumë grupe ushqimesh;
- Vaksinimi – më pak se 4 në 5 (79%) e fëmijëve 24 – 35 muajsh janë imunizuar plotësisht.