Rezultatet e Regjistrimit të Bujqësisë 2014

  • 26/11/2015

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) sot ka publikuar rezultatet e plota të Regjistrimit të Bujqësisë në Republikën e Kosovës, i cili është mbajtur nga 1 nëntori deri më 20 nëntor 2014.


Regjistrimi i Bujqësisë është kryer në 34 komuna të Republikës së Kosovës. Ndërkaq, në katër komuna në veri të Republikës së Kosovës (Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë Veriore), regjistrimi nuk ka mundur të kryhet, për shkak se këto komuna refuzuan të marrin pjesë. ASK kishte bërë përgatitjet që regjistrimi të mbahet në gjithë territorin e Republikës.


Regjistrimi i Bujqësisë është realizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) dhe Komisionet Komunale të Regjistrimit (KKR), është mbikëqyrur nga Komisioni i Regjistrimit (KR), ndërsa është financuar nga Fondi i Mirëbesimit dhe menaxhimi i Fondit të Mirëbesimit i ishte besuar UNOPS-it.