Rezultatet e “Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP) në Kosovë”, TM2 2016

  • 25/11/2016

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) përmes kësaj komunikate u ofron përdoruesve të statistikave zyrtare, rezultatet kryesore të Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e dytë 2016.

Anketa ka pasur shtrirje në 576 qarqe regjistruese në tërë territorin e vendit, ku janë anketuar 3 775 ekonomi familjare, të përzgjedhura sipas metodës së rastit nga korniza e Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave, 2011. Ekonomitë familjare, të selektuara për anketim, përveç që kanë pasur një anketim, ato kanë pasur edhe tri rianketime, sipas periudhës referuese. 

Ky publikim përmban të dhëna të detajuara mbi punësimin dhe papunësinë sipas moshës, gjinisë, statusit të punësimit, aktiviteteve ekonomike, profesioneve dhe çështjeve të tjera të ngjashme, që kanë të bëjnë me tregun e punës.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, del se dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune, ku në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare. 

Në kuadër të popullsisë me moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 37.8%.  

Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e dytë (TM2) 2016, është 27.9%. Punësimi më i lartë është te meshkujt, 42.9%; ndërsa, punësimi te femrat është 12.6%. Femrat janë të punësuara kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetesor, me rreth 52% të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e prodhimit, ndërtimtarisë dhe tregtisë, me rreth 45%.

Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: tregtia me 15.0%; prodhimi me 13.7%; ndërtimtaria me 11.6%; dhe arsimi me 10.6%. Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim.

Sa i përket të punësuarve me kontrata, del se 28.6% e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 71.4% kanë kontratë të përkohshme.

Sipas rezultateve të AFP-së, TM2 2016, shkalla e papunësisë është 26.2%. Papunësia më e theksuar është te femrat me 30.3 %, krahasuar me meshkujt, që është 25.0%. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 51.0%.

Sipas rezultateve të AFP-së, në TM2 2016, fuqia joaktive është mjaft e lartë, 62.2%, me fokus të veçantë te femrat me 81.9%, krahasuar me meshkujt, 42.9%. 

Për realizimin e AFP-së, TM2 2016, metodologjia dhe standardet e aplikuara nga ana e ASK-së janë të harmonizuara me rekomandimet e  Eurostat-it. Këto të dhëna konsiderohen si të dhëna preliminare të tremujorit të dytë të vitit 2016 nga AFP-ja. Hera e parë e publikimit në baza tremujore të AFP-së, është arsyeja e vetme e publikimit të njëkohshëm për TM1 dhe TM2 të AFP-së 2016.

Me këtë rast, ASK-ja falënderon pjesëmarrësit dhe akterët e tjerë, e posaçërisht stafin e vetë në realizimin e AFP-së për TM2 2016. Njëkohësisht, i bën me dije të gjithë përdoruesit e statistikave zyrtare se ASK-ja, brenda mundësive buxhetore, në vazhdimësi po bën përpjekje për ngritjen e kapaciteteve për të publikuar statistika të qëndrueshme dhe sa më cilësore.


Për më shumë informata lidhur me publikimin “Anketa e Fuqisë Punëtore në Kosovë”, TM2 2016, vizitoni: http://ask.rks-gov.net/sq/agjencia-e-statistikave-te-kosoves/sociale/tregu-i-punes

Qasja në të dhëna tabelore:thttp://askdata.rks-gov.net/PXWeb/pxweb/sq/askdata/askdata__Labour%20market__Quarterly%20labour%20market/?rxid=3ab2fd84-5629-495d-8b4e-c34fb3fdd9bb