Rezultatet e Anketës së Buxhetit të Ekonomive Familjare, 2015

  • 10/06/2016

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet e Anketës së Buxhetit të Ekonomive Familjare (ABEF) për vitin 2015. Ky publikim ofron të dhëna për konsumin, shpenzimet dhe të ardhurat e ekonomive familjare,  etj. 

Nga rezultatet e dala nga ky publikim, konsumi i përgjithshëm në Kosovë në vitin 2015 ishte 2 461 milionë euro, ndërsa për ekonomi familjare 7 503 euro, si dhe për kokë banori 1 432 euro.  

Konsumi i përgjithshëm në vitin 2015, krahasuar me vitin 2014, ka një rënie të lehtë, ndërsa konsumi për kokë banori ka një rritje 3.3%. Pjesa më e madhe e buxhetit të ekonomive familjare në vitin 2015 është shpenzuar në ushqim dhe banim: 43% për ushqim dhe 30% për banim, të konsumit të përgjithshëm. Ndërkohë, që pasojnë shpenzimet për transport, alkool dhe duhan, veshmbathje dhe mobilie me 4%. 

Në vitin 2015, krahasuar me dy vitet e mëparshme 2013-2014, ushqimi nga prodhimi vetanak në konsumin e përgjithshëm ka shënuar një rritje nga 6%, sa ishte në vitin 2014, në 7% në 2015, ose kemi një rritje të ushqimit të vetëprodhuar nga ekonomitë familjare për 1%. Konsumi i ushqimit në Kosovë në vitin 2015, sipas rezultateve të ABEF-it, dominohet nga mishi, qumështi, djathi, vezët, buka dhe drithërat, që kontribuojnë më shumë se gjysmën e konsumit të ushqimit (në vlerë). Më pas, radhiten perimet dhe pijet joalkoolike. Konsumi i bukës dhe drithërave në vitin 2015 ka pasur një rënie në 17% nga 18% sa ishte në vitin 2014. Pra, kemi një rënie për 1%. Në bazë të rezultateve të ABEF-it 2015, vërehet se kemi përmirësim të standardit jetësor të popullatës. Pra, kemi një zvogëlim të konsumit në ushqim, ndërsa kemi një rritje të konsumit në komponentët e tjerë, si në rekreacion, etj. 

Burimi më i rëndësishëm i të hyrave të ekonomive familjare sipas ABEF-it 2015, del të jetë rrogat nga sektori publik dhe ai privat, pastaj pensionet, të hyrat nga biznesi vetanak, si dhe paratë e dërguara nga jashtë, përkatësisht remitencat. Të hyrat nga remitencat kanë pasur një rritje nëse e krahasojmë me vitin 2014, ku në kuadër të burimeve kryesore të të hyrave të ekonomive familjare, remitencat kanë marrë pjesë me 8%, ndërsa në vitin 2015 remitencat kanë marrë pjesë me 9%. Pra, kemi rritje të remitencave për 1% në vitin 2015, krahasuar me vitin 2014.
 

Për më shumë informata lidhur me publikimin: “Rezultatet e Anketës së Buxhetit të Ekonomive Familjare 2015”, vizitoni: http://ask.rks-gov.net/sq/agjencia-e-statistikave-te-kosoves/sociale/kushtet-e-jeteses