Rezultatet e ‘‘Anketë së Fuqisë Punëtore (AFP) në Kosovë”, TM3 2016

  • 25/01/2017

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) përmes kësaj komunikate u ofron përdoruesve të statistikave zyrtare, rezultatet kryesore të Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e tretë 2016.

Anketa ka pasur shtrirje në 578 qarqe regjistruese në tërë territorin e vendit, ku janë anketuar 3 798 ekonomi familjare, të përzgjedhura sipas metodës së rastit, nga korniza e Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave 2011. Ekonomitë familjare, të selektuara për anketim, përveç që kanë pasur një anketim, ato kanë pasur edhe tri rianketime sipas periudhës referuese.

Ky publikim përmban të dhëna të detajuara mbi punësimin dhe papunësinë sipas moshës, gjinisë,  statusit të punësimit, aktiviteteve ekonomike, profesioneve dhe çështjeve të tjera të ngjashme, që kanë të bëjnë me tregun e punës.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, del se dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune, ku në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare.

Në kuadër të popullsisë me moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 40.2%. 

Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e tretë 2016, është 29.2%. Punësimi me i lartë është te meshkujt (44.9%), ndërsa punësimi te femrat është 13.1%. Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me rreth 51% të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e prodhimit, ndërtimtarisë dhe tregtisë, me rreth 44.6%.

Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: tregtia me 14.3%, ndërtimtaria me 12.8 %, prodhimi me 12.7% dhe arsimi me 10.4%. Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim.

Sa i përket të punësuarve me kontrata, del se 30.1 % e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 69.9% kanë kontratë të  përkohshme.

Sipas rezultateve të AFP-së, TM3 2016, shkalla e papunësisë është 27.5%. Papunësia më e theksuar është te femrat me 32.3 %, krahasuar me meshkujt, 26.0%. Shkalla me e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 52.7%.

Sipas rezultateve të AFP-së, TM3 2016, fuqia joaktive është mjaft e lartë me 59.8%, me fokus të veçantë te femrat me 80.7%, krahasuar me meshkujt, 39.4 %.

Për realizimin e AFP-së, TM3 2016, metodologjia dhe standardet e aplikuara nga ana e ASK-së janë të harmonizuara me rekomandimet e Eurostatit. Këto të dhëna konsiderohen si të dhëna preliminare të tremujorit të tretë të vitit 2016 nga AFP-ja.

Me këtë rast, ASK-ja falënderon pjesëmarrësit dhe akterët e në realizimin e AFP-së për TM3 2016. Njëkohësisht, i bën me dije të gjithë përdoruesit e statistikave zyrtare se ASK-ja, brenda mundësive buxhetore, në vazhdimësi po bën përpjekje për ngritjen e kapaciteteve për të publikuar statistika të qëndrueshme dhe sa më cilësore.

Për më shumë informata lidhur me publikimin: “Anketa e Fuqisë Punëtore – TM3 2016 në Kosovë”, mund ta vizitoni: http://ask.rks-gov.net/media/2753/afp-tm3-2016.pdf

Qasje në të dhëna të detajuara përmes platformës ASKDATA: : http://askdata.rks-gov.net/PXWeb/pxweb/sq/askdata/askdata__Labour%20market/?rxid=5c702e12-de3c-4817-865c-5dbbd57c8dec