Përfundon turni i takimeve ndërmjet ASK-së dhe bizneseve hoteliere dhe turizmit në Kosovë
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në bashkëpunim me Odën Hotelerisë dhe Turizmit, të mbështetur nga Swisscontact Kosova, në kuadër të projektit PPSE, ka zhvilluar një fushatë sensibilizuese për rëndësinë e të dhënave të sakta dhe në kohë për fushën e Hotelerisë dhe Turizmit
Në kuadër të kësaj janë zhvilluar tryeza në pesë (5) rajonet më të mëdha të Kosovës, ku të pranishëm ishin një numër i konsiderueshëm i bizneseve, përfaqësues komunalë, zyret rajonale të ASK-së, si dhe akterë të tjerë të rëndësishëm të fushës së Hotelerisë dhe Turizmit.
Qëllimi i këtyre tryezave ishte rritja e bashkëpunimit ndërmjet ASK-së dhe bizneseve dhe adresimi/sensibilizimi ndaj nevojës për grumbullimin e të dhënave statistikore të turizmit në Kosovë.
Gjate këtyre takimeve i është dhënë theks i veçantë kalimit nga raportimi me letër në raportimin përmes web aplikacionit (Metoda CAWI), të zhvilluar nga Agjencia e Statistikave te Kosovës.
Po ashtu, duke e ditur që turizmi është një industri mjaft komplekse, është potencuar nevoja dhe rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet akterëve për t’i arritur standardet evropiane, që hap rrugë për anëtarësim edhe në organizatat e tjera ndërkombëtare të turizmit.
Vlen të ceket se në këto tryeza diskutimi është prezantuar edhe trajnimi për biznese hoteliere për raportim në ASK përmes web aplikacionit (Metodës CAWI), që hap rrugë për eliminimin e raportimeve me letër.