Organizohet Punëtoria me temën: Rezultatet e Regjistrimit të Popullsisë mbi Lëvizshmërinë

  • 09/07/2012

Agjencia e Statistikave të Kosovës me përkrahjen e projektit EUCEP2011, të financuar nga Bashkimi Evropian, organizoi më 7 qershor 2012 Punëtori/Seminar me temën “Lëvizshmëria”. Seminari u mbajt në ambientet e hotelit SIRIUS në Prishtinë.

Qëllimi i kësaj Punëtorie ishte prezantimi i mundësive për shfrytëzimin e të dhënave nga Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave lidhur me lëvizshmërinë. Maria Pia Sorvillo dhe Enrico Tucci, ekspertë ndërkombëtarë nga ISTAT-i (Instituti Kombëtar Italian i Statistikës), shpjeguan detajisht se çfarë të dhëna mund të ofrojnë rezultatet e Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave lidhur me lëvizshmërinë.

Të pranishëm në këtë Seminar ishin agjencitë dhe departamentet e ndryshme të institucioneve të Kosovës,  organizatave vendore dhe atyre ndërkombëtare si dhe nga shoqëria civile. 

Në fjalimin e tij të mirëseardhjes, Kryeshefi Ekzekutiv i ASK-së, Isa Krasniqi, për të pranishmit pohoi se: “Popullsia e Kosovës është e njohur për lëvizshmëri. Lëvizshmëria nënkupton udhëtimet ditore apo javore brenda vendit për punë apo shkollim, dhe ndërrimin afatgjatë të vendbanimit brenda vendit përfshirë edhe faktet e migrimit ndërkombëtar. Të gjitha këto lëvizje kanë ndikim të rëndësishëm në karakteristikat lokale të popullsisë dhe mund të kenë ndikime në strukturë dhe madhësi. Si rezultat, ky fenomen është në interes të shumicës së pjesëmarrësve, që merren me vlerësimin e karakteristikave dhe trendeve të popullsisë për qëllime planifikimi.“Ndërkaq, ekspertët nga ISTAT-i sqaruan në hollësi, duke elaboruar pyetjet e pyetësorëve që janë përdorur në Regjistrim, tipologjinë e migrimit (migrimi i brendshëm dhe i jashtëm), origjinën dhe destinacionin e migrimit (lëvizjet e mesme brenda të njëjtit rajon dhe lëvizjet e gjata brenda rajoneve, komunave dhe lokacioneve të ndryshme), si dhe mundësinë e shfrytëzimit të të dhënave të Regjistrimit të Popullsisë shikuar nga ky aspekt. 

“Për të gjitha këto, si dhe pyetje të tjera, se kush është migrues: ai qe e ka ndërruar vendbanimin, shtetin, qytetin; pastaj, pse bëhet lëvizja e popullsisë dhe migrimet, duhet të bëhen analiza me qëllim të përcaktimit të politikave të punës, territorit, mjedisit, etj.”- tha znj. Servillo, duke shpjeguar për të pranishmit, se si këto të dhëna do të mund të përdoren për qëllime të planifikimit në sektorë të ndryshëm, si: bujqësi, punësim, përkrahje sociale, transport, ambient dhe shumë fusha të tjera.  

Në këtë punëtori/seminar pati edhe diskutim të hapur, ku të pranishmit nuk hezituan të bënin pyetje nga më të ndryshmet. Ekspertët ndërkombëtarë dhe ata të ASK- së iu përgjigjen pyetjeve të shumta lidhur me lëvizshmërinë, si dhe aspekteve të tjera të regjistrimit. (Të gjitha pyetjet dhe përgjigjet i gjeni te pyetjet e shpeshta). 

Kjo punëtori do të pasojë edhe me takime të tjera të natyrës së njëjtë, me qëllim të përgatitjes sa më të mirë të të gjithë akterëve relevantë për shfrytëzimin, sa më efikas të të dhënave, që do të dalin nga rezultatet përfundimtare të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave.