Niveli i Pagave në Kosovë, 2012-2019
Publikimi në rishikim
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) lëshon Njoftim për përdoruesit e Statistikave Zyrtare mbi Raportin “Niveli i Pagave në Kosovë, 2019”
Raporti ‘’Niveli i pagave në Kosovë 2019’’ përmban të dhëna mbi nivelin e pagave, të ndarë sipas sektorëve: sektorin publik, privat dhe sektorin publiko-privat. Të dhënat e marra nga institucionet përgjegjëse, të paraqitura në këtë raport janë analizuar, llogaritur dhe shpërndarë përmes raportit që është bërë publik. Të dhënat e paraqitura dhe të publikuara sipas sektorëve janë rishikuar dhe janë reprezentative, derisa tek tabela 1.1, kolona ‘’Paga mesatare’’ është bërë një gabim/lëshim, ku nga treguesit primarë (sektorëve) është nxjerrë treguesi i derivuar (paga mesatare), që nuk praktikohet në këto raste.
Ky lëshim është bërë i identifikueshëm nga shfrytëzuesit jashtë ASK-së dhe jemi mirënjohës për komentet e tyre, duke ndihmuar institucionin në përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së prodhimeve statistikore.
Sipas Kodit të Praktikës së Statistikave Evropiane (CoP) tek Parimi i Paanshmërisë, pika 6.3 përcakton se: institutet e statistikave pasi identifikojnë gabime në statistikat zyrtare të publikuara, ato duhen korrigjuar sa më parë të jetë e mundur dhe duhet publikuar përsëri, duke njoftuar përdoruesit paraprakisht për ndryshimet. Gjithashtu, tek Parimi i Saktësisë, Pika 12.3 specifikon: Rishikimet analizohen rregullisht me qëllim të përmirësimit të proceseve statistikore. Praktikë të tillë rekomandojnë edhe Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, rreth gabimeve dhe rishikimeve.
Edhe institucionet e tjera ndërkombëtare që grumbullojnë, analizojnë dhe shpërndajnë të dhëna statistikore, pas identifikimit të gabimeve, rekomandojnë dhe praktikojnë korrigjimin e tyre, përmes rishikimeve të raporteve (plotësime në metodologji, burime shtesë të të dhënave, krahasime serike ose ndërkombëtare, etj.).
Vlen të theksohet se përfshirja e të dhënave nga ekonomia e pavrojtuar (informaliteti) në të dhënat e paraqitura, do të nivelizonte të njëjtën pagë mesatare, të paraqituar në Raport, por kjo çështje i përket procesit të rishikimit, për periudhë më afatgjatë.
Prandaj, si përfundim, ASK-ja i njofton të gjithë perdoruesit e statistikave zyrtare se është duke analizuar dhe rishikuar Raportin në fjalë dhe në momentin e finalizimit do ta publikojë Raportin e rishikuar.