Nënshkruhet Marrëveshje Mirëkuptimi ndërmjet ASK-së dhe UNDP-së për transferimin dhe publikimin e të dhënave të Pulsit Publik

  • 19/11/2021

Nënshkruhet Marrëveshje Mirëkuptimi ndërmjet ASK-së dhe UNDP-së për transferimin dhe publikimin e të dhënave të Pulsit Publik

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka nënshkruar Marrëveshje Mirëkuptimi (MeM) me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë për të vazhduar bashkëpunimin për transferimin dhe publikimin e të dhënave të mbledhura, duke filluar nga viti 2002 me Sistemin e Paralajmërimit të Hershëm, i cili ka vazhduar me Pulsin Publik nga viti 2010 e deri më sot.

Qëllimi i kësaj MeM është ta përmirësojë qasjen dhe përdorimin e të dhënave nga institucionet e Kosovës për politikë-bërje, si dhe nga palët e tjera të interesuara, duke përfshirë akademinë, organizatat joqeveritare dhe organizatat zhvillimore.

Të dhënat e Pulsit Publik plotësojnë të dhënat ekzistuese në Kosovë, të prodhuara nga ASK-ja dhe subjektet e tjera, duke ofruar të dhëna të mbledhura gjatë 10 viteve të fundit mbi perceptimet e njerëzve për çështjet politike dhe socio-ekonomike, demokratizimin, kënaqshmërinë me institucionet qendrore dhe lokale, sundimin e ligjit, funksionimin e shërbimeve publike, marrëdhëniet ndëretnike dhe tolerancën sociale, çështjet e sigurisë, mjedisin, etj.

Kjo Marrëveshje u nënshkrua nga Z. Ilir T. Berisha, Zëvendës Kryeshef Ekzekutiv në emër të ASK-së dhe Znj. Maria Suokko, Përfaqësuese e Përhershme, në emër të UNDP-së.

"Ky memorandum është një vazhdimësi e bashkëpunimit shumë të vlefshëm ndërmjet UNDP-së dhe ASK-së në ofrimin e të dhënave dhe vënien në dispozicion të institucioneve të Kosovës dhe palëve të tjera të interesuara. Të dhënat duhet të jenë bazë për planifikim dhe politika zhvillimore. UNDP në Kosovë në partneritet me USAID-in është zotuar ta mbështesë mbledhjen e të dhënave si bazë për hartimin e politikave, të bazuara në dëshmi, gjatë 20 vjetëve të fundit. Seritë kohore të të dhënave të Pulsit Publik plotësojnë ato të mbledhura nga ASK-ja dhe institucionet e tjera. Vendosja e tyre në dispozicion përmes ASK-së rrit dukshmërinë e tyre dhe, shpresojmë, përdorimin nga institucionet e Kosovës, “ tha me këtë rast zonja Suokko.

Ndërkaq, z. Berisha theksoi se “ASK-ja vlerëson bashkëpunimin me UNDP-në dhe institucionet e tjera ndërkombëtare. Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje të mirëkuptimit bëhet me qëllim të ofrimit të një dritareje në web faqen e ASK-së për vizualizimin e të dhënave të Pulsit Publik, duke përfshirë prezantimin e autorësisë së këtyre të dhënave. Të dhënat e Pulsit Publik janë matës i perceptimeve të qytetarëve të Kosovës për ndryshimet në Kosovë, në lidhje me demokratizimin, zhvillimin ekonomik, drejtimin politik dhe të proceseve të tjera. “

Memorandumi i sotëm është i dyti me radhë - pas nënshkrimit të memorandumit të parë me ASK-në në korrik të vitit 2020 dhe ofron bazën për vazhdimin e transferimit dhe publikimit të të dhënave të Pulsit Publik. Partneriteti dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm me ASK-në janë shumë të rëndësishme për UNDP-në, duke njohur rolin kyç të ASK-së, si institucionit kryesor përgjegjës për mbledhjen e të dhënave zyrtare në Kosovë.

Projekti vazhdon që nga viti 2002, fillimisht si Sistemi i Paralajmërimit të Hershëm dhe më vonë si Pulsi Publik dhe që nga fillimi financohet nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).