Nënshkruhet kontrata për zhvillimin e Ueb faqes së re të ASK-së

  • 16/02/2023

Në ambientet e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), sot u nënshkrua kontrata ndërmjet ASK-së, Projektit “Strengthening of the Statistical System of Kosovo, 2019-2023” EU-Sida dhe kompanisë vendore PBC SH.P.K për Shërbimet e Zhvillimit dhe Mirëmbajtjes së Uebfaqes së re të ASK-së.

Fokusi i ASK-së është në ngritjen e vetëdijes, në aspektin e komunikimit me përdorues të statistikave zyrtare, duke përmirësuar sistemin e shpërndarjes, qasjen më moderne dhe më të lehtë në të dhënat statistikore, në formate të përshtatshme për përdoruesit.

Qëllimi kryesor i kësaj kontrate është dizajnimi, zhvillimi dhe zbatimi i Webfaqes së re të ASK-së, si dhe Sistemi i Menaxhimit të Përmbajtjes (content management system – CMS). Ky sistem do ta mundësojë gjithë përmbajtjen dhe të dhënat e ndryshme të Webfaqes së ASK-së të jenë në tri gjuhë (shqip, serbisht dhe anglisht).

Po ashtu, Webfaqja do të jetë në gjendje të funksionojë në të gjitha llojeve web-shfletuesve (Edge, Firefox, Chrome dhe Opera) dhe lehtë e navigueshme. Kurse, aftësia e kërkimit të avancuar do të jetë e disponueshme, ku përmbajtja e kësaj Webfaqeje do të jetë e indeksuar, e kërkueshme dhe do të nxjerrë në pah fjalët kyçe, si dhe do të krijojë foto dhe video galeri.      

Kontrata  u nënshkrua nga Zv.Kryeshefi Ekzekutiv i ASK-së, z. Ilir T. Berisha, Projekti EU-Sida dhe Kryeshefi i OE PBC sh.p.k, z. Bashkim Selmani.