Ndikimi i pandemisë COVID-19 në publikimet e Agjencisë së Statistikave të Kosovës

  • 10/04/2020

Duke qenë të gjithë të njoftuar lidhur me situatën e Pandemisë, që po zhvillohet me shpejtësi për shkak të Coronavirusit (i njohur gjithandej si COVID-19) dhe masat që kanë marrë institucionet kompetente të Republikës së Kosovës për mbrojtjen nga kjo Pandemi, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) edhe më tutje është e përkushtuar dhe do të bëjë përpjekje maksimale, që ta përmbushë misionin që ka, për t’u siguruarar përdoruesve informacionet e nevojshme statistikore. Njëkohësisht, ASK-ja do të vazhdojë me publikimet e të dhënave që konsiderohen të domosdoshme për funksionimin e duhur të ekonomisë, shoqërisë dhe institucioneve të Republikës së Kosovës në përgjithësi.

Prandaj, të gjitha publikimet që mund të ndikohen nga gjendja e krijuar me pandeminë COVID-19  do të shtyhen deri në një njoftim të dytë. Për sigurinë dhe mbrojtjen e punonjësve të Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe përdoruesve tanë, ne po përpiqemi t’i ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme në përputhje me rekomandimet e organeve kompetente. Për këtë arsye, një pjesë e punonjësve tanë janë duke punuar nga shtëpia, ndërsa vetëm puna e domosdoshme ose esenciale, e personelit që ASK-ja e konsideron si prioritet, është duke u kryer në vendet e tyre të punës, d.m.th., në ambientet e ASK-së.

Mbledhja e të dhënave  

Ne jemi të vetëdijshëm për faktin se, për shkak të kushteve të vështira të punës, shumë njësi raportuese nuk do të jenë në gjendje t’i paraqesin raporte të plotësuara me kohë. Meqenëse, mbështetja nga buruesit e të dhënave është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne, në një përpjekje për të siguruar të dhëna zyrtare statistikore për përdoruesit tanë dhe publikun e gjerë, ne do të bëjmë përpjekje maksimale që mbledhjen e të dhënave ose raportimet e ndryshme, t’i bëjmë më vonë, d.m.th. sapo të tejkalohet kjo situatë.

Për më tepër, ne dëshirojmë t'ju informojmë se, momentalisht, për shkak të gjendjes së krijuar në terren nga COVID-19, anketimet në terren janë ndërprerë dhe nuk do të bëhen nga njësitë raportuese fizike. Anketimet  do të kryhen në forma të përshtatshme dhe adekuate, posa të sigurohen kushtet minimale për zhvillimin e tyre.

Duke pasur parasysh vështirësitë, që pritet të shfaqen në procesin e mbledhjes dhe përpunimit të të dhënave statistikore, si dhe publikimet e tyre sipas afateve të përcaktuara në Kalendarin e Publikimeve të ASK-së, vonesat nga afatet e përcaktuara janë të mundshme. Të gjitha informacionet mbi ndryshimet e mundshme do të jenë në dispozicion në Webfaqen e AKS-së: http://ask.rks-gov.net

Informatat dhe kërkesat e përdoruesve

Të gjitha kërkesave tuaja për të dhëna statistikore do t’u përgjigjemi sa më shpejt të jetë e mundur. Kërkesat tuaja mund t'i dërgoni, si gjithmonë, në e-mail: hazbije.qeriqi@rks-gov.net dhe infoask@rks-gov.net.

Po ashtu, mund të kontaktoni përmes telefonit: +383 (0) 38 200 31 129.

Ndryshimet në organizimin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës

Në bazë të vendimeve dhe qëndrimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës, që të gjitha institucionet t’i reduktojnë angazhimet dhe aktivitetet e përgjithshme në nivelin e masave të punëve esenciale; në bazë të kërkesave dhe udhëzimeve nga letra e EUROSTAT-it, që sa më shumë ta parandalojmë përhapjen e koronavirusit (COVID-19), respektivisht të fokusohemi vetëm te treguesit statistikorë më me prioritet; si dhe, duke pasur parasysh që mënyra më e sigurt e komunikimit është përdorimi i mënyrave alternative të komunikimit, siç janë: posta elektronike, shërbimet telefonike dhe postare, ASK-ja ka vendosur t’i kufizojë takimet me përdoruesit e të dhënave statistikore, si dhe me shfrytëzuesit e Bibliotekës së ASK-së. Për këtë arsye, janë zvogëluar kontaktet personale, që janë në interesin tonë të ndërsjelltë, pos atyre kontakteve personale, të cilat janë absolutisht të domosdoshme.

Biblioteka

Deri në njoftimin tjetër, Biblioteka është e mbyllur për përdoruesit.

Kontakti:
Ju mund të na kontaktoni në e-mail: hazbije.qeriqi@rks-gov.net ose infoask@rks-gov.net.
Ose në tel: (+383) 038 200 31 129 ose 147.

ASK-ja, do të vazhdojë me vigjilencë ta përcjellë ecurinë e situatës dhe më pas do ta përshtatë aktivitetin e nxjerrjes së publikimeve, sipas prioritetit dhe nevojës. Kështu që, ju do të informoheni sa më shpejt të jetë e mundur për çdo zhvillim në të ardhmen.

Të dashur përdorues, ju falemnderit për mirëkuptimin tuaj!