Miratohet Projektligji për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë
Në Seancën e sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës është miratuar në lexim të parë Projektligji për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave, Nr. 08/L -114
Komisioni funksional për Buxhet, Punë dhe Transfere në bazë të Nenit 56 të Rregullores së Kuvendit e ka shqyrtuar këtë projektligj dhe ia ka rekomanduar Kuvendit miratimin e tij në parim.
Gjatë kësaj seance, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati e paraqiti dhe e arsyetoi këtë projektligj, i cili ndër të tjera tha se “Qeveria e Republikës së Kosovës e ka aprovuar Projektligjit për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave me qëllim të zbatimit të Programit Legjislativ të Qeverisë dhe mundësimit të realizimit të Projektit të Regjistrimit të Popullsisë. Ky Projektligj rregullon procesin e Regjistrimit të Popullsisë, duke përcaktuar kompetencat dhe përgjegjësitë e organeve që e organizojnë dhe zbatojnë këtë proces, nëpërmjet përpunimit, ruajtjes dhe dokumentimit të të dhënave.”
Tutje, Ministri Murati tha se “ky Projektligj përcakton gjithashtu obligimin qytetar për pjesëmarrje në Regjistrim dhe ofrimin e informacioneve të sakta”.
Propozimi i hartimit të këtij Projektligji është bërë në pajtim me Nenin 95 të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), si dhe kërkesave të Bankës Botërore për paraqitjen e të dhënave objektive dhe të sakta rreth popullsisë. Pra, Regjistrimi mundëson mbajtjen e konsistencës rreth zhvillimeve statistikore në botë, sipas standardeve ndërkombëtare.
Më tej, Ministri Murati arsyetoi edhe shtyrjen e Regjistrimit të Popullsisë, të planifikuar vitin e kaluar, që ishin zhvillimet e Pandemisë COVID-19 dhe mbajtja e zgjedhjeve lokale në vend.
Sipas Ministrit Murati, afat i ri për Regjistrimin e Popullsisë është përcaktuar të jetë viti 2022.