Miratohet Ligji për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave

  • 22/07/2022

Kuvendi i Republikës së Kosovës, me 76 vota për, asnjë kundër, dhe asnjë abstenim, ka miratuar Ligjin për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave.

Ligji për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe të Banesave rregullon mënyrën e organizimit të procesit të regjistrimit, përcakton kompetencat dhe përgjegjësitë e organeve që e organizojnë, ndihmojnë dhe zbatojnë regjistrimin, dokumentimin, përpunimin, ruajtjen, publikimin e të dhënave dhe masat administrative.

Ky ligj rregullon gjithashtu shtrirjen territoriale të regjistrimit të popullsisë, afatet kohore, mbajtjen dhe procesin në tërësi, obligimet qytetare për pjesëmarrje në regjistrim, sanksionet administrative dhe juridiksionin e institucioneve përgjegjëse.

Data e Regjistrimit dhe kohëzgjatja i propozohet Qeverisë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës. Vendimi për datën e Regjistrimit merret nga Qeveria, jo më vonë se 9 muaj para datës së Regjistrimit.

Projekti nacional i Regjistrimit të Popullsisë realizohet nga Agjencia e Statistikave të Kosovës me mbështetjen e institucioneve qendrore, lokale dhe partnerëve ndërkombëtar.

Të dhënat statistikore të Regjistrimit, mbi indikatorët kryesor demografik dhe socio-ekonomik të vendit, do të kontribuojnë në planifikim më të mirë te politikave kombëtare, dhe përmirësimin e sektorëve me rëndësi jetike për qytetarët e vendit.