Mbahet Takim me Ambasadorin e Zyres së BE-së në Kosovë
Në Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK) sot është mbajtur një Takim me Ambasadorin e Zyres së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, z. Tomáš Szunyog.
Temë e diskutimit ishte procesi i Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë 2022.
Zv. Kryeshefi Ekzekutiv i ASK-së, z. Ilir T. Berisha e njoftoi Ambasadorin lidhur me përgatitjet që janë duke u bërë për mbajtjen e Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave, si dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet aktualisht ASK-ja.
Fillimisht, z. Berisha foli rreth Ligjit të Regjistrimit, i cili ka kaluar në lexim të parë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, duke u ndalur më pas në sfidat kryesore, që janë aktivitetet e Prokurimit, rektrutimi i stafit dhe fuqizimi i grupeve punuese me staf profesional, si dhe sistemet e TI-së. Për që gjë, ai tha se është kërkuar krijimi i një Task Force për t’i mbështetur aktivitetet e prokurimit dhe fushën e TI (lidhur me sigurinë kibernetike dhe furnizimin me pajisje të TI-së).
Diskutimi me tej u fokusua në popullsinë rezidente në Kosovë, si nëpër komuna, ashtu edhe nga jashtë (diaspora); pastaj për komunitetet romë, ashkali dhe egjiptian, për komunitetin serb në Veri dhe në komunat e tjera në Jug, dhe se definimi i qartë se kush duhet të regjistrohet është me rëndësi. Ndërkaq, një vëmendje të shtuar pati rreth Sigurisë Kibernetike, meqë Regjistrimi i Popullsisë do të bëhet me tabletë.
Po ashtu, në këtë takim u diskutua edhe lidhur me Marrëveshjen e Mirëkuptimit ndërmjet ASK-së dhe Agjencionit të Regjistrit Civil (ARC) për Regjistrin e Popullsisë, si dhe inflacioni në rritje dhe çmimet e naftës dhe vajit në Kosovë.
Në këtë takim ishin të pranishëm edhe z. Saimir Selimi dhe z. Berat Havolli nga Zyra e BE-së, si dhe z. Avni Kastrati, drejtor i Statistikave Sociale dhe të Popullsisë/menaxher i Regjistrimit të Popullsisë nga ASK-ja.