Llogaritë Qeveritare të Kosovës, 2004-2012
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), Departamenti i Statistikave Ekonomike dhe Llogarive Kombëtare, ka publikuar “Llogaritë Qeveritare të Kosovës 2004 – 2012”.
Ky publikim paraqet një pasqyrë të të hyrave dhe shpenzimeve për periudhën 2004 – 2012, bazuar në mbledhjen e të dhënave administrative dhe kalkulimeve të ASK-së. Si rregull i përgjithshëm, ka për qëllim pajtueshmërinë maksimale të shifrave të publikuara me standardet e ESA 95 dhe manualin e FMN-së për Statistikat e Financave Qeveritare.
Të hyrat - Qeveria e Përgjithshme 2012: totali i të hyrave të Qeverisë së Përgjithshme në vitin 2012 ishte 1,782.8 milionë Euro, që do të thotë se kemi një rritje të të hyrave në krahasim me vitin e kaluar. Ndihmat e donatorëve ishin 327.1 milionë Euro (264.3 dhuruesit e ndihmave nga bota e jashtme dhe 62.8 milionë Euro si grande të investimeve), të cilat paraqesin 18.3% te totalit të të hyrave. Pjesëmarrja e ndihmave të donatorëve në të hyrat e Qeverisë së Përgjithshme në vitin 2012 ishte më e vogël në krahasim me vitin paraprak (në 2012 ishte 18.3%, ndërsa në vitin 2011 ishte 20.6%).
Pjesa më e madhe e të hyrave të Qeverisë se Përgjithshme është rezultat i aktivitetit të importit të njësive ekonomike në Kosovë, që e përbëjnë tatimet e mbledhura në kufi. Të Hyrat Kufitare paraqesin: tatimin në vlerën e shtuar në kufi, akciza e jashtme në kufi, akciza e brendshme, detyrime doganore te importit, taksa te ndryshme doganore, si dhe taksat doganore të paspecifikuara.
Ndërkohë, të Hyrat e Brendshme paraqesin: tatimin në vlerën e shtuar – vendore, tatimin në të ardhura personale, tatimin në korporata, tatimin në fitim, tatimin e paragjykuar dhe të hyrat e tjera nga administrata tatimore të paspecifikuara.
Kurse, donacionet paraqesin fondet e Qeverisë nga donatorët.
Ndërkaq, të Hyrat nga Interesi dhe Shitja përfshijnë pranimet në nivelin Qendror dhe Lokal, të cilat nuk mblidhen nga Administrata Tatimore, por që administrohen nga organizatat e tjera buxhetore Qendrore dhe Lokale.
Shpenzimet – Qeveria e Përgjithshme: në vitin 2012 totali i shpenzimeve të Qeverisë së Përgjithshme ishte 1,806.6 milionë Euro, prej të cilave shpenzimet rrjedhëse përfaqësuan 65.1%. Konsumi i ndërmjetëm paraqet kategorinë më të rëndësishme të shpenzimeve
rrjedhëse. Transferet rrjedhëse të ekonomive shtëpiake pësuan një rënie në vitin 2012 krahasuar me vitin 2011.
Të hyrat – Qeveria Qendrore: vlera e përgjithshme e të hyrave të Qeverisë Qendrore në vitin 2012 ishte 1,744.3 milionë Euro, e cila përfaqëson 97,8% të totalit të të hyrave të Qeverisë së Përgjithshme. Shpenzimet – Qeveria Qendrore: shpenzimet e Qeverisë Qendrore në vitin 2012 ishin 1,715.6 milionë Euro, të cilat paraqesin 95% të totalit të shpenzimeve të Qeverisë së Përgjithshme. Pjesa kryesore e shpenzimeve ishte për bruto akumulimi i kapitalit fiks (28,4%), konsumin e ndërmjetëm (21.5% nga totali i shpenzimeve të Qeverisë Qendrore), transferet rrjedhëse të Qeverisë Lokale (17.0%) dhe për pagesat e kompensimit të punëtorëve (17.8%). Të hyrat – Qeveria Lokale: të hyrat e Qeverisë Lokale në vitin 2012 ishin rreth 38.5 milionë Euro (duke përjashtuar transferet rrjedhëse prej Qeverisë Qendrore), të cilat pasqyrojnë 2,2% të të hyrave totale të Qeverisë së Përgjithshme. Pjesën kryesore e të hyrave e përbëjnë tatimet rrjedhëse në të ardhura dhe pasuri 68.5% nga totali i të hyrave të Qeverisë Lokale dhe të hyrave të tjera nga interesi dhe shitja 16.9%. Të hyrat e pranuara nga Qeveria Lokale në vitin 2012 ishin më të mëdha në krahasim me vitet paraprake. Qeveria Lokale pranoi në vitin 2012 vlerën prej 291.8 milionë Euro nga Qeveria Qendrore, si transfer rrjedhës për edukim, shëndetësi, shërbimet e përgjithshme, rend dhe siguria publike, etj. Shpenzimet – Qeveria Lokale: shpenzimet e Qeverisë Lokale në vitin 2012 ishin 382.8 milionë Euro, të cilat përfaqësojnë 21.2% të totalit të shpenzimeve të Qeverisë së Përgjithshme. Pjesa kryesore e shpenzimeve ishte për kompensimet e punëtorëve (55.5% nga totali i shpenzimeve të Qeverisë Lokale) dhe për pagesat e mallrave dhe shërbimeve, bruto akumulimi i kapitalit fiks 34.4% .