Llogaritë Qeveritare të Kosovës, 2004-2011
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), gjegjësisht departamenti i statistikave ekonomike dhe llogarive kombëtare, ka përgatitur publikimin e Llogarive Qeveritare të Kosovës 2004 – 2011. Ky botim paraqet pasqyrën e të hyrave dhe shpenzimeve qeveritare brenda kësaj periudhe. Totali i të hyrave të Qeverisë së Përgjithshme në vitin 2011 ishte 1,685.9 milion Euro, që do të thotë se kemi një rritje të te hyrave në krahasim me vitin e kaluar. Ndihmat e donatorëve ishin 347.1 milion Euro (287.7 dhuruesit e ndihmave nga bota e jashtme dhe 59.3 milion Euro si grante të investimeve), të cilat paraqesin 20.6% te totalit te të hyrave. Pjesëmarrja e ndihmave të donatorëve në të hyrat e Qeverisë së Përgjithshme në vitin 2011 ishte me e madhe në krahasim me vitin paraprak (në 2011 ishte 20.6% ndërsa në vitin 2010 ishte 19.6%).
Pjesa më e madhe e të hyrave të Qeverisë se Përgjithshme është rezultat i aktivitetit të importit të njësive ekonomike në Kosovë, që e përbëjnë tatimet e mbledhura në kufi.
Të hyrat Kufitare paraqesin: tatimin në vlerën e shtuar në kufi, akciza e jashtme në kufi, akciza e brendshme, detyrime doganore të importit, taksa të ndryshme doganore si dhe taksa doganore të paspecifikuara. Të hyrat e brendshme paraqesin: tatimin në vlerën e shtuar - vendore, tatimi në të ardhura personale, tatimi në korporata, tatimi në fitim, tatimi i paragjykuar dhe të hyrat tjera nga administrata tatimore të paspecifikuara.
Ndërsa, donacionet paraqesin fondet e Qeverisë të marra nga donatorët. Të hyrat nga interesi dhe shitja përfshijnë pranimet në nivelin Qendror dhe Lokal, të cilat nuk mblidhen nga Administrata tatimore, por që administrohen nga organizatat tjera buxhetore Qendrore dhe Lokale.
Ndërkaq, shpenzimet për Qeverinë e Përgjithshme, në vitin 2011 totali i shpenzimeve të Qeverisë së Përgjithshme ishte 1,697.6 milion Euro, prej të cilave shpenzimet rrjedhëse përfaqësuan 65.0%. Konsumi i ndërmjetëm (p.sh blerja e mallrave dhe shërbimeve), paraqet kategorinë më të rëndësishme të shpenzimeve rrjedhëse. Transferet rrjedhëse të ekonomive shtëpiake pësuan një ngritje në vitin 2011 krahasuar me vitin 2010.
Po ashtu në ketë publikim gjeni edhe strukturën e shpenzimeve të Qeverisë së Përgjithshme siç janë: Transferet kapitale 0.8%, kompensimi i punëtoreve 28.1%,Bruto akumulimi i kapitalit fiks 34.2%, Subvencionet 4.7%,Transferet rrjedhëse të ekonomive shtëpiake 10.4%, Konsumi i ndërmjetëm 21.8%.