Kuvendi i Kosovës miraton propozimin e Qeverisë për zgjedhjen e Komisionit Qendror të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave

  • 25/11/2022

Kuvendi i Republikës së Kosovës, me 69 vota për, asnjë kundër, dhe asnjë abstenim, ka miratuar propozimin e Qeverisë nr.09/99 datë 30 shtator 2022, për zgjedhjen e Komisionit Qendror të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave

Komisioni Qendror i Regjistrimit (KQR) është institucioni më i lartë për mbikëqyrjen e Regjistrimit. Komisioni Qendror i Regjistrimit mbikëqyrë përgatitjen, organizimin dhe mbarëvajtjen e Regjistrimit të Popullsisë në përgjithësi.

Në seancën plenare të datës 24 nëntor 2022, ky propozim u prezantua dhe u elaborua nga Kryeministri Albin Kurti.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Kurti tha se të dhënat statistikore të regjistrimit mbi indikatorët kryesorë demografik dhe socio-ekonomik të vendit, do të kontribuojnë në hartimin më të mirë të politikave kombëtare dhe përmirësimin e sektorëve me rëndësi jetike për qytetarët e vendit. Tutje, ai përmendi rregullimin legjislativ të Ligjit për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, mënyrën e organizimit, procesin dhe kompetencat e përgjegjësitë e organeve përkatëse. Shtrirjen territoriale, afatet kohore, obligimet qytetare për pjesëmarrje në regjistrimit, sanksionet administrative dhe juridiksionin e institucioneve përgjegjëse. 

Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me institucionet e tjera përkatëse më 30 shtator ka propozuar anëtarët e Komisionit Qendror të Regjistrimit. Komisioni Qendror i Regjistrimit përbëhet nga kryesuesi, zëvendës kryesuesi dhe anëtarët në këtë përbërje: Florim Isufi (Zyra e Kryeministrit kryesues), Ilir T. Berisha (Agjencia e Statistikave të Kosovës, zëvendës kryesues), Besart Grabanica (Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, anëtar), Avni Kastrati (menaxher i Regjistrimit të Popullsisë, anëtar), Enver Makolli (Ministria e Arsimit, anëtar), Ramadan Mramori (Ministria e Punëve të Jashtme, anëtar), Delvina Hana (Ministria e Bujqësisë, anëtare), Mërgim Neziri (Ministria Administratës dhe Pushtetit Lokal, anëtar), Kushtrim Krasniqi (Ministria e Punëve të Brendshme, anëtar), Riza Murseli (Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, anëtar), Justina Shiroka Pula (Akademia e Shkencave, anëtare), Dea Pallaska (organizata ndërkombëtare në Kosovë, UNFPA, anëtare), Besart Krasniqi (Oda Ekonomike e Kosovës, anëtar), Edi Gusia (Agjencia për Barazi Gjinore, anëtare), Agim Ferati (Këshilli konsultativ për komunitete, anëtar) dhe Sazan Ibrahimi (Asociacioni i Komunave të Kosovës, anëtar).

Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë do të realizohet nga data 1 shtator deri më 16 tetor 2023.