Kosova fiton MCC-në me Indikatorët e ASK-së 2015

  • 17/12/2015

 Duke u bazuar në lajmin e jashtëzakonshëm në deklaratën e Presidentes së Kosovës, Znj. Jahjaga, e cila ka njoftuar se Kosova është përzgjedhur nga Agjencia Qeveritare Amerikane Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC) për të përfituar grant të gjerë investimi nga kjo agjenci, me knaqësinë më të madhe, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) lëshon këtë Komunikatë për media. 

Gjatë këtij procesi, ASK-ja ka dhënë një kontribut të madh, jo vetëm si anëtare e Grupit të Punës, por edhe duke ofruar indikatorët kyç, që kanë ndihmuar shumë që procesi të finalizohet me një përfitim kaq të madh për Republikën e Kosovës.

Kontributi i ASK-së dhënë në këtë drejtim bazohet në indikatorët e Anketës së Grupimeve të Treguesve të Shumëfishtë (e njohur si MICS), e cila është realizuar në periudhën nëntor 2013 – mars 2014 nga Agjencia e Statistikave të Kosovës me mbështetje financiare dhe teknike të Fondit për Fëmijë të Kombeve të Bashkuara (UNICEF).

Disa prej indikatorëve, që janë shfrytëzuar nga MICS janë: shkalla e vaksinimit të fëmijëve, shkalla e regjistrimit të vajzave në arsimin e mesëm, qasja në sistemit sanitar të përmirësuar, qasja në sistemin e ujësjellësit të përmirësuar, shkalla e vdekshmërisë së foshnjave dhe shkalla e vdekshmërisë së fëmijëve.

Agjencia e Statistikave të Kosovës, ndihet e privilegjuar që ishte dhe është pjesë e Grupit Punues të themeluar nga Presidentja, Jahjaga, për t’i grumbulluar të dhënat dhe për ta përmirësuar performancën në indikatorët e kërkuar nga MCC. Këta indikatorë, së bashku me raportin e fundit komplementar, Kosova i ka dorëzuar në MCC në tetor 2015, ku për herë të parë pas pesë vjetësh, Kosova kalon vlerësimin e MCC-së për t’u bërë përfituese e Programit Kompakt, që i hap rrugë fillimit të hartimit të programit investiv.

Agjencia e Statistikave të Kosovës, edhe një herë shpreh falënderimin e saj të thellë për organizatën e OKB-së, UNICEF për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm për realizimin e Anketës MICS.