KE i ASK-së, Isa Krasniqi takoi kryeredaktorët /redaktorët e mediave
Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Isa Krasniqi takoi përfaqësuesit e mediave në Kosovë. Takimi ishte më shumë joformal, informues, produktiv dhe i frytshëm, lidhur me proceset e Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave. Të pranishëm ishin edhe menaxhmenti i ZRP-së, si dhe ekspertët e komunikimit të EUCEP-it.
Qëllimi i këtij Takimi ishte krijimi i një komunikimi të mirëfilltë me Mediat kombëtare dhe ndërkombëtare në Kosovë, për t’u siguruar për një raportim të duhur dhe të plotë të procesit të shpërndarjes së rezultateve përfundimtare, të dala nga Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave. Po ashtu, në takim u theksua roli vendimtar që kanë mediat në lehtësimin e kuptueshmërisë së rezultateve të Regjistrimit të Popullsisë.
Ndër të tjera, z. Krasniqi i foli për procesin e Regjistrimit të Popullsisë, për aktivitetet e vazhdueshme, për rëndësinë e Regjistrimit, si dhe për ngjarjet e ardhshme lidhur me rezultatet përfundimtare.
Në takim u zhvillua një diskutim i hapur për tema që mund të dalin pas finalizimit të këtij procesi madhor, pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, ku interesimi i mediave ishte dukshëm i madh. Shumë pyetje u ngritën nga redaktorët mbi zbatimin e Regjistrimit, mbi metodologjinë dhe rezultatet paraprake të Regjistrimit. Mediat e mirëpritën mundësinë e takimit të drejtpërdrejtë me ASK-në dhe theksuan nevojën për të pasur qasje të drejtpërdrejtë në të ardhmen me këtë institucion, në mënyrë që të marrin informata të dorës së parë dhe t’i shmangen burimeve sekondare të informacionit.