Kapacitetet e turizmit (njësitë akomoduese) në Kosovë, 2016
Në Konferencën “Kapacitetet e Turizmit (Njësitë Akomoduese) në Kosovë, 2016” të mbajtur sot, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikon Rezultatet e këtij hulumtimi.
Fjalën hyrëse e mbajti kryeshefi ekzekutiv i ASK-së, z. Isa Krasniqi, i cili foli për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet ASK-së dhe institucioneve të tjera, si: Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. dhe Policinë e Kosovës, për marrjen e të dhënave statistikore të qarkullimit turistik në Pikat (Kalimet) Kufitare të Republikës së Kosovës. Ai po ashtu falënderoi donatorin kryesor të këtij hulumtimi projektin e Swisscontact-PPSE “Mbështetja e ASK-së në përmirësimin e statistikave turistike të Kosovës me standarde ndërkombëtare”. Të pranishëm në këtë Konferencë ishin edhe përfaqësuesit e Swisscontact-PPSE-së, Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe Policisë së Kosovës.
Ndërsa, rezultatet e këtij hulumtimi i publikoi z. Ismajl Sahiti, Shef i Divizionit të Statistikave Ekonomike në ASK.
Sipas këtij hulumtimi, në vitin 2016 në Kosovë janë identifikuar gjithsej 495 njësi akomoduese, prej tyre 464 njësi aktive dhe 31 njësi pasive. Kapaciteti i njësive aktive është 6 936 dhoma dhe 10 985 shtretër. Numri më i madh i njësive akomoduese gjendet në komunën e Prishtinës, pastaj radhitet Peja, Prizreni, Ferizaj, e kështu me radhë.
Kategoritë kryesore të njësive akomoduese në Kosovë janë Hotelet dhe Motelet. Hotelet përfshijnë 42% të totalit të njësive akomoduese, ndërsa motelet 39%. Në pjesën tjetër, 19%, janë të përfshira kategoritë e tjera të njësive akomoduese, më të vogla në Kosovë, si: bujtinat, hostelet, apartamentet për vizitorë, bungallotë dhe hapësirat për kamping, të cilat janë në zhvillim e sipër.
Numri i të punësuarve në aktivitetin hotelier për vitin 2016 është 2 791 punëtorë, prej tyre 851 janë femra. Sa i përket formës ligjore të ndërmarrjeve, 87% e tyre janë Biznese Individuale me Pronësi Private, ndërsa pjesa tjetër e ndërmarrjeve bëjnë pjesë në format e tjera ligjore.