Inicimi i Programit Master për Statistika në Fakultetin Ekonomik
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) së bashku me përfaqësues të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” me mbështetjen e Projektit “Strengthening of the Statistical System of Kosovo” (EU-Sida) morën pjesë në një takim të përbashkët në Fakultetin Ekonomik në Tiranë dhe në INSTAT
Qëllimi i këtij takimi ishte themelimi i Programit Master për Statistika në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë, në mënyrë që të plotësohen nevojat e tregut për statisticientë për të prodhuar statistika zyrtare të besueshme, cilësore dhe të krahasueshme për vendimmarrësit.
Delegacionin e Kosovës e priti dekani i Fakultetit Ekonomik në Tiranë, Prof. Dr. Dhori Kule, si dhe znj. Elsa Dhuli, drejtore gjenerale e INSTAT-it. Ndërkaq, delegacionin e Kosovës e udhëhoqi dekani i Fakultetit Ekonomik në Prishtinë, Prof. Dr. Driton Balaj.
Prof. Dr. Driton Balaj pasi bëri një përmbledhje të situatës në Fakultetin e Ekonomik në Prishtinë, ai paraqiti iniciativën për themelimin e Programit Master për Statistika në bashkëpunim me ASK-në për të filluar akreditimin e këtij programi.
U rekomandua që të punohet në kurrikulën e programit, në mënyrë që të jetë në përputhje me nevojat e tregut, si dhe nën ombrellën e Eurostat-it, duke aplikuar në EMOS. Pranimi në EMOS do të jepte mundësinë, që studentët e vendit tonë të mund të aplikojnë për studime Master në vendet që janë pjesë e EMOS. Shembulli i Gjermanisë dhe Çekisë për programe Master në EMOS mund t’i përshtatet Kosovës.