Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK), Tetor 2017
Shkalla e inflacionit e matur në muajin tetor 2017 me muajin tetor 2016 ishte 0.9%
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin tetor të vitit 2017
Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit prej muajit janar 2016 publikohet me vitin bazë 2015=100
Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit në vend është më i lartë për 0.2% në muajin tetor 2017, krahasuar me muajin shtator 2017. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (1.5%); qumësht, djath dhe vezë (1.8%); perime (4.1%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.4 % në IHÇK.
Ngritja u neutralizua kryesisht nga rënia e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: pemë (-3.9%); shërbime për transport (-6.1%)-(rënia e çmimit të biletave me aeroplan) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.2%) në IHÇK.
Shkalla e inflacionit e matur në muajin tetor 2017 me muajin tetor 2016 ishte 0.9%.
Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë për 0.9% në muajin tetor 2017, krahasuar me muajin tetor 2016. Kjo kryesisht është shpjeguar me disa ndryshime të çmimeve të artikujve dhe shërbimeve te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it. Ngritje e çmimeve të konsumit vërehet te nëngrupet: bukë dhe drithëra (2.9%); mish (0.7%); qumësht, djath dhe vezë (1.9%); vajëra dhe yndyra (3.4%); pemë (10.7%); kafe, çaj dhe kakao (9.9%); ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (1.2%); duhan (7.3%); përdorim i pajisjeve për transportin personal (2.2%)-(ngritje e çmimit të naftës dhe benzinës), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.3 % në IHÇK.
Ngritja u neutralizua kryesisht nga rënia e çmimeve në këtë periudhë te nëngrupet: rrymë, gaz dhe lëndë djegëse të tjera (-3.4%)-(rënie e çmimit të energjisë elektrike në muajin tetor 2017 për (-9.5%), krahasuar me tarifat dimërore të muajit tetor të vitit 2016); blerje e automjeteve (-1.5%); shërbime për transport (-4.3%)-(rënia e çmimit të biletave me aeroplan); pajisje audio-vizuele, fotografike për përpunimin e informatave (-6.5%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.4%) në IHÇK.
Shpjegim për shfrytëzuesit e të dhënave
Zbatimi i tarifave të reja me pakicë të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë nga 1 prilli i vitit 2017 të aprovuara nga Zyra e Rregullatorit për Energji të Republikës së Kosovës, të datës 31 mars 2017, është shkaku i ndryshimit të çmimit të energjisë elektrike në çdo muaj, të kalkulur nga Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KES/CO).