Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK), Korrik 2016
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin korrik të vitit 2016.
Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit prej muajit janar 2016 publikohet me vitin bazë 2015=100.
Në muajin korrik 2016, Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit në vend është i pandryshuar (0.0%), krahasuar me muajin qershor 2016. Përkundër mosndryshimit të indeksit të tërësishëm të harmonizuar të çmimeve të konsumit, vërehen disa ndryshime të çmimeve të artikujve dhe shërbimeve te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it. Ngritje e çmimeve vërehet te nëngrupet: pemë (3.4%), shërbimet për transport (10.2%) - (ngritje e çmimit të biletave me aeroplan) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.3% në IHÇK.
Ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve te nëngrupi i perimeve për (-8.5%) me një ndikim prej (-0.3%) në IHÇK.
Shkalla e inflacionit e matur në muajin korrik 2016 me muajin korrik 2015 ishte 0.0%.
Krahasuar muajin korrik 2016 me muajin korrik 2015, Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit nuk ka pasur ndryshime. Mirëpo, përkundër kësaj, në këtë periudhë vërehen disa ndryshime të çmimeve të artikujve dhe shërbimeve te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it. Ngritje e çmimeve vërehet te nëngrupet: mish (1.2%), sheqer dhe ëmbëlsira (9.1%), ujë mineral, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (2.2%), pije alkoolike (5.0%), duhan (10.1%), veshje (3.0%), orendi dhe aparatura, qilima dhe shtroja të tjera për dysheme (2.6%), prodhime dhe pajisje mjekësore (3.2%), blerje e automjeteve (1.4%), shërbime për transport (10.9%) - (ngritje e çmimit të biletave me aeroplan) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.7 % në IHÇK.
Ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve në këtë periudhë te nëngrupet: bukë dhe drithëra (-4.5%); pemë (-7.8%); perime (-8.1%); furnizim me ujë dhe shërbime të ndryshme, që kanë të bëjnë me vendbanimin (-6.7%); rrymë, gaz dhe lëndë djegëse të tjera (-4.9%) - (përshkallëzimi i TVSH-së me 8.0% nga muaji shtator i vitit 2015 te buka dhe drithërat, uji dhe rryma ka ndikuar në rënie të IHÇK-së në një masë prej (-0.8%) në këtë periudhë); përdorimi i pajisjeve për transportin personal (-7.1%) - (rënie e çmimit të naftës dhe benzinës) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-1.7%) në IHÇK.
Për më shumë informata lidhur me Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit për muajin korrik 2016, vizitoni: http://ask.rks-gov.net/sq/