Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK), Gusht 2017

  • 11/09/2017

Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK), Gusht 2017

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin gusht të vitit 2017.

Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit prej muajit janar 2016 publikohet me vitin bazë 2015=100

Indeksi i harmonizuar i tërësishëm i çmimeve të konsumit në vend është më i lartë për 0,2% në muajin gusht 2017 krahasuar me muajin korrik 2017.

Shkalla e inflacionit e matur në muajin gusht 2017 me muajin gusht 2016 ishte  1,7%.

Indeksi i harmonizuar i tërësishëm i çmimeve të konsumit është më i lartë për 0,2% në muajin gusht 2017 krahasuar me muajin korrik 2017. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: mishi (0,6%), qumështi, djathi dhe vezët (3,8%), duhani (1,3%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0,4 për qind në IHÇK-it.

Ngritja u neutralizua kryesisht nga rënia e çmimeve të konsumit te nëngrupet: pemët (-4,3%), perimet (-3,7%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -0,2 për qind në IHÇK-it.

Indeksi i harmonizuar i tërësishëm i çmimeve të konsumit është më i lartë për 1,7 për qind në muajin gusht 2017 krahasuar me muajin gusht 2016 në këtë periudhë vërehen disa ndryshime të çmimeve të artikujve dhe shërbimeve te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it. Ngritje e çmimeve të konsumit vërehet te nëngrupet: buka dhe drithërat (0,6%), mishi (1,5%), pemët (4,2%), sheqeri dhe ëmbëlsirat (5,0%), kafja, çaji dhe kakao (10,2%), uji mineral, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet (1,2%), duhani (6,9%), këpucët (5,3%), rryma, gazi dhe lëndë djegëse të tjera (16,5%)-(ngritje e çmimit të energjisë elektrike në muajin gusht 2017 për 25,5% krahasuar me tarifat verore të muajt gusht të vitit 2016), përdorimi i pajisjeve për transportin personal (3,5%)-(ngritje e çmimit të naftës dhe benzinës) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 2,0 për qind në IHÇK-it.

Ngritja u neutralizua kryesisht nga rënia e çmimeve në këtë periudhë te nëngrupet: qumështi, djathi dhe vezët (-1,1%), blerja e automjeteve (-1,6%), pajisjet audio-vizuele, fotografike për përpunimin e informatave (-6,7%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -0,3 për qind në IHÇK-it.

Shpjegim për shfrytëzuesit e të dhënave 

Zbatimi i tarifave të reja me pakicë të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë nga 1 prilli i vitit 2017 të aprovuara nga Zyra e Rregullatorit për Energji të Republikës së Kosovës të datës 31 mars 2017 është shkaku  i ndryshimit të çmimit të energjisë elektrike në çdo muaji të kalkulura nga Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KES/CO).