Indeksi i Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimet në Bujqësi, TM1 2023

  • 05/05/2023

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikon Indeksin e Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimet në Bujqësi për tremujorin e parë (TM1 2023) (2015 =100)

ASK-ja ka bërë ndërrimin e vitit bazë të indeksit nga 2010=100 në 2015=100 sipas metodologjisë së Eurostatit.

Ky publikim është i bazuar në grumbullimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë. Grumbullimi i të dhënave është bërë në treg, ferma dhe vendet të tjera, ku çmimet e prodhimeve bujqësore mund të grumbullohen.

Prodhimet, të cilat krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe ato blegtorale. Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë. Në prodhimet blegtorale çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe prodhimet blegtorale. Në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve. Në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë. Të gjitha çmimet janë llogaritur në Euro dhe njësitë matëse janë në: kg, litër dhe copë.

Në tremujorin e parë (TM1) të vitit 2023, indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rritje për 16.89%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022. Kurse, indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rritje për 6.45%.

Ndërkaq, Indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore ka rritje për 14.28%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit  2022.