Indeksi i Çmimeve të Inputeve dhe Çmimet në Bujqësi, TM1 2019
Rritet Indeksi i përgjithshëm i Çmimeve të Inputeve në Bujqësi
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Çmimeve të Inputeve në Bujqësi“ për tremujorin e parë (TM1 2019) ( 2015 =100).
ASK-ja ka bërë ndërrimin e vitit bazë të indeksit nga 2010=100 në 2015=100 sipas metodologjisë së Eurostatit.
Ky publikim është i bazuar në çmimet e inputeve bujqësore të grumbulluara në Kosovë. Grumbullimi i çmimeve është kryer në barnatoret bujqësore, farmacitë veterinare, në kompani, tregje dhe vende të tjera, ku çmimet e inputeve bujqësore janë në dispozicion. Disa çmime të inputeve bujqësore janë marrë nga çmimet e konsumit (IHÇK) në ASK.
Prodhimet që krijojnë bazë për Indeksin e Çmimeve të inputeve janë të ndara në dy grupe kryesore: Mallrat dhe shërbimet aktualisht të konsumuara në bujqësi (Input 1) dhe Mallrat dhe shërbimet që kontribuojnë në investimet në bujqësi (Input 2). Brenda grupit të Mallrave dhe shërbimeve aktualisht të konsumuara në bujqësi, çmimet grumbullohen sipas grupeve në vijim: farëra dhe material mbëltues, energji, vajra, plehra dhe përmirësues të tokës, produkte për mbrojtjen e bimëve dhe pesticide, shpenzime për veterinari, lëndë për ushqimin e kafshëve, mirëmbajtje e materialeve, mirëmbajtje e ndërtesave, si dhe mallra dhe shërbime të tjera.
Kurse, sa i përket Mallrave dhe shërbimeve që kontribuojnë në investimet bujqësore, çmimet grumbullohen për materiale (makineri dhe pajisje të tjera), ndërtesa dhe të tjera (ndërtesa jo-rezidente të fermës, punë të tjera përveç përmirësimit të tokës).
Në tremujorin e parë të vitit 2019, indeksi për Input 1 ka rënie për (-0.7%), krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018. Kurse, indeksi Input 2 ka rritje për 8.0%.
Ndërkaq, Indeksi i përgjithshëm i inputeve (Input 1+Input 2) ka rritje për 3.3%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018.