BE mbështet Kosovën në mbajtjen e regjistrimit të parë të popullsisë pas 30 vjetës
Angazhime shumë të mëdha për realizimin e regjistrimit të popullsisë 2011 në Kosovë
Në prill të vitit 2011 u hap një kapitull i ri për t’iu siguruar institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, për herë të parë, të dhëna të sakta dhe të besueshme nga “Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë 2011”. Regjistrimi i fundit në Kosovë ishte bërë 30 vjet më parë.
Por çka do të thotë: “30 vjet më parë…? Është e vështirë të paramendohen angazhimet tejet të mëdha, që është dashur të ndërmerren: Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) dhe personeli i tij, është dashur ta zotërojnë këtë detyrë sfiduese, pa pasur përvojë në regjistrime të mëparshme. Natyrisht, disa kolegë më të vjetër kishin punuar në regjistrimin e fundit të vitit 1981, por metodologjitë kanë ndryshuar që atëherë, procedurat janë bërë sipas standardeve ndërkombëtare, ndërsa pyetësorët dhe pajisjet teknike, të gjitha duhej të ishin të reja. Kompjuterët dhe softuerët është dashur të blihen dhe kjo ka kërkuar shuma të mëdha të hollash. Të gjitha dokumentet duhej të ishin në dispozicion, në të gjitha gjuhët që fliten në vend, logjistika është dashur të planifikohet, si dhe është dashur të bëhen shumë punë të tjera për të arritur në pikën ku jemi tani: mbi 5 000 regjistrues kanë qenë në terren për të vizituar çdo individ dhe familje që jeton në rajon, është bërë regjistrimi në terren, të dhënat për 5 milionë formularë të ndryshëm janë përpunuar (për çdo person, ekonomi familjare dhe banesë ka nga një formularë), pastrimi i të dhënave është në fazat përfundimtare për të siguruar koherencë të të dhënave – të gjitha sipas standardeve ndërkombëtare – dhe pritet që në shtator 2012 të publikohen rezultatet e regjistrimit.
Botë në lëvizje, ndryshimi i kulturës statistikore
ASK-së jo vetëm që i mungojnë të dhënat për 30 vjet, por regjistrimi është dashur të bëhet në një ambient krejtësisht ndryshe, nga ai që ka qenë në atë kohë. Sot, statistikat kanë një shfrytëzim të gjerë, ato janë të pranishme tek të gjitha mediat, në lajmet ditore për të informuar me statistika mbështetëse mbi inflacionin, punësimin, tregjet dhe për shumë çështje të tjera të trendeve tona shoqërore. Sot, të dhënat konsiderohen si një e mirë publike dhe institucionet statistikore duhet t’i përshtaten kërkesës gjithnjë e më të madhe për të dhëna duke respektuar standardet e reja ndërkombëtare - gjithmonë e më të detajuara - për definicionet që duhen aplikuar dhe metodologjitë që duhet ndjekur. Përveç kësaj, difuzioni i teknologjive të reja të komunikimit imponojnë modernizimin e mjeteve të shpërndarjes së të dhënave. Ka qenë një sfidë mjaft e madhe për ASK-në që t’ua përshtat proceset e punës këtyre ndryshimeve dhe të kalojë nga perspektiva e grumbullimit të të dhënave tek ajo e orientuar drejt shërbimeve. Po ashtu, duhet të rikujtojmë se ky është regjistrimi i parë i bërë nga ASK me përgjegjësi kombëtare: e që ndryshon shumë nga kohërat e mëparshme, kur i gjithë përpunimi i të dhënave është bërë në zyrën qendrore në Beograd.
Mbështetja ndërkombëtare - kosova nuk u la vetëm
Kjo ishte - dhe ende është - punë tepër e madhe. Agjencia e Statistikave të Kosovës nuk u la e vetme për ta përballuar atë. Donatorët ndërkombëtarë e mbështetën regjistrimin, fondi i mirëbesimit e menaxhoi buxhetin prej 10 milionë eurosh, Zyra e OKB për Shërbime për Projekte menaxhoi të gjithë logjistikën, ndërsa Bashkimi Evropian e financoi projektin e mbështetjes teknike, i cili filloi në maj 2010 me emrin EUCEP- Projekti Mbështetës për Regjistrimin 2011, me një buxhet përafërsisht prej 1.3 milionë eurosh. Ky projekt udhëhiqet nga Instituti Kombëtar i Statistikave Italiane –Istat, i cili e krijojë një konsorcium me tre partnerë të tjerë. Aktivitetet dhe ekspertët e ndryshëm janë ndarë me qendrën e hulumtimeve CIRPS - Universiteti Sapienza i Romës, me partnerin gjerman ICON INSTITUTE Public Sector dhe me kompaninë kosovare Rrota, e specializuar në komunikim. Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë e menaxhon realizimin e këtij procesi.
Ky projekt tani është në fazën përfundimtare dhe do të përmbyllet në nëntor 2012 - një mundësi për të shikuar prapa.
EUCEP – projekt i mbështetur nga bashkësia evropiane
Qëllimi i këtij projekti të asistencës teknike është që të kontribuojë në fuqizimin e sistemit statistikor të Kosovës për realizimin e Regjistrimit të Popullsisë, i cili do të shfrytëzohet si bazë për vendim-marrje nga autoritetet publike dhe agjentët privatë dhe që do të shërbejë si një infrastrukturë themelore për ngritjen e tërë infrastrukturës statistikore.
Asistenca teknike e EUCEP-it ishte qenësore, pothuajse në çdo fushë, para, gjatë dhe pas regjistrimit në terren – sidomos në ngritjen e kapaciteteve. Ekipi ishte i përfshirë në të gjithë punën përgatitore dhe ekspertët qëndruan deri në natën vonë, së bashku me ekspertët e ASK-së, duke diskutuar të gjitha çështjet që duhej zgjidhur. Ishte një përvojë e dobishme kur shihnim profesionistë të papërvojë apo të rinj të ASK-së që fillonin të kuptonin metodologjinë e re dhe çdo ditë i kuptonin më mirë mjetet specifike të TI-së dhe karakteristikat statistikore. Hap pas hapi, projekti ndërtoi kapacitete në fusha mjaft komplekse, siç janë pastrimi dhe imputimi i të dhënave, analizat e Anketës Pas Regjistrimit (PES) për të vlerësuar gabimet e Regjistrimit apo zhvillimin e një sistemi kompjuterik, i cili mundësonqasje fleksibile on-line në të dhënat e Regjistrimit. Stafi i ASK-së, po ashtu u njoftua në mënyrë praktike me aplikimin e një morie rregullash nga Eurostati lidhur me realizimin, përpunimin dhe dokumentimin e Regjistrimit.
Ekspertë nga mbarë bota
Gama e ekspertëve të përfshirë në EUCEP mbulon të gjitha fushat e demografisë, statistikave dhe të fushave të tjera - dhe tregon një shtrirje të gjerë të mbështetjes dhe ngritjes së kapaciteteve të Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Duke filluar nga udhëheqësja e ekipit si eksperte në menaxhimin e Regjistrimit, ekspertët për logjistikën e Regjistrimit dhe sistemet e TI, ekspertët për trajnime, ekspertët për metodologjinë e Regjistrimit dhe rregulloret e BE, ekspertët për analiza demografike dhe hulumtime, ekspertët e GIS për krijimin e hartave (hartëzimin) e qarqeve regjistruese, specialistët e shpërndarjes së të dhënave, specialistët e komunikimit dhe sensibilizimit, ekspertët ligjorë dhe shumë të tjerë – ekspertët ishin nga Belgjika, Italia, Gjermania, Britania e Madhe, Izraeli, Shqipëria,Turqia,Rumania,Kosova e madje edhe nga Shtetet e Bashkuara.
EUCEP është krenar për punën që ka bërë bashkë me kolegët nga ASK-ja, por Regjistrimi është një fushë komplekse dhe kërkon shumë punë; secila fazë e tij sjell sfida të reja e të rëndësishme. Në fazën aktuale, EUCEP dhe bashkëpunëtorët e tij janë duke punuar shumë në përpunimin e rezultateve përfundimtare të Regjistrimit dhe përgatitjen e tyre për publikim, në fund të muajit shtator. Aktualisht, projekti është i përfshirë në sigurimin e të dhënave dhe informatave të kërkuara nga Operacioni i Monitorimit Ndërkombëtarë (IMO). IMO i themeluar në vitin 2006 nga Këshilli i Evropës dhe Komisioni Evropian ka përcjellë për së afërmi përgatitjet e Regjistrimit dhe realizimin e Regjistrimit në Kosovë - tani ai është duke vëzhguar dhe vlerësuar përpunimin e të dhënave dhe rezultatet përfundimtare. IMO ka rol përcaktues (vendimtar) në njohjen ndërkombëtare të Regjistrimit të Popullsisë në Kosovë. Komiteti Drejtues bën monitorimin e të gjitha aspekteve metodologjike për të siguruar aplikimin si duhet të standardeve ndërkombëtare dhe për të vlerësuar përmes mjeteve të pranuara statistikore besueshmërinë e të dhënave. Grupi Menaxhues i IMO jep instruksione dhe mbështetje në nivel politik, si dhe ofron mbështetjen e nevojshme në mënyrë që rezultatet e regjistrimit të Kosovës të njihen dhe pranohen plotësisht.
për një të ardhme të ndritur
Agjencia e Statistikave të Kosovës asnjëherë nuk u la vetëm në realizimin e kësaj barre të këtij operacioni tejet të madh – Regjistrimi i Popullsisë 2011. Të gjithë donatorët ndërkombëtarë dhe vendimmarrësit në Kosovë e kuptojnë vlerën e lartë, që të dhënat do të kenë për njerëzit. Në secilën fushë të dhënat do të mundësojnë planifikim më të saktë, përdorim më efikas dhe më të qëndrueshëm të resurseve, ndarje të fondeve aty ku janë të nevojshme dhe zbatimi të iniciativave politike dhe administrative për t’i dhënë Kosovës dhe popullit të saj një të ardhme më të ndritur.
Adresa:
Agjencia e Statistikave të Kosovës
Zyra 24, Zenel Salihu 4
10000 Prishtinë – Kosovë
tel: +381-38-235 111 114
Kush jemi ne?
Skuadra e EUCEP përbëhet nga profesionistë të nivelit të lartë, referencat e të cilëve janë të miratuara nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Drejtori i Projektit Salvatore Favazza, është demograf dhe udhëheq Njësinë për Bashkëpunim Teknik në Istat. Kjo njësi ndër të tjera synon të promovojë shkëmbimin e ndërsjellë të kuadrove dhe përvojave profesionale, duke fuqizuar rrjetin ndërkombëtar të Instituteve Statistikore Kombëtare, si në nivel të BE-së ashtu edhe me vendet e treta partnere.
Drejtuesja e Skuadrës Isabelle de Pourbaix ka 25 vjet përvojë pune si demografe dhe mbi 15 vjet përvojë me Institute Statistikore në rajonin e Ballkanit, ku ajo është ftuar si këshilltare kryesore për disa projekte të financuara nga BE-ja, që kanë për qëllim t’i sjellin statistikat zyrtare në nivel të standardeve ndërkombëtare. Ajo ndër të tjera ka qenë e angazhuar si eksperte e nivelit të lartë në Regjistrimet e Popullsisë në Maqedoni dhe në Mal të Zi.
Eksperti kyç i komunikimit Sascha Oliver Rusch është këshilltar i aftë ndërkombëtar me përvojë pune në shumë projekte të BE-së dhe UNDP-së; ai është i kualifikuar në Studimet e Komunikimit (Master), 18 vjet përvojë pune në këtë fushë dhe 25 vjet përvojë pune si gazetar.
Skuadra e EUCEP, po ashtu përbëhet nga një numër ekspertësh ndërkombëtarë dhe kosovarë, asistentë vendorë, udhëheqës nga partnerët e Konsorciumit dhe nga njësia e menaxhimit të projektit në Istat.
Fushat e punës së Projektit të EUCEP 2011
Komponenti 1 – Aktivitetet metodologjike dhe operative
1.1 Organizimi dhe menaxhimi i Regjistrimit
1.2 Materialet e Regjistrimit
1.3 Metodologjia e Regjistrimit
1.4 Mjetet e TI-së për Regjistrim
1.5 Terreni i Regjistrimit dhe operacionet e përfshirjes së të dhënave
Komponenti 2 – Përgatitja dhe Realizimi i aktiviteteve për shpërndarje
2.1 Përpunimi i të dhënave për shpërndarje
2.2 Shpërndarja e të dhënave
2.3 Komunikimi me shfrytëzues
2.4 Produktet speciale nga Regjistrimi
Komponenti 3 – Sensibilizimi
3.1 Imazhi Publik i ASK/ statistikat e përmirësuara
3.2 Ngritja e kapacitetit institucional të ASK
3.3 Sensibilizimi i OJQ-ve/ angazhimi aktiv i qytetarëve
3.4 Mbështetje në metodologjinë e Regjistrimit/ regjistruesit
3.5 Qytetarët kanë besim në Kosovën pluraliste
3.6 Monitorimi /Vlerësimi i Sensibilizimit
Komponenti 4 – Komunikimet
4.1 Brendimi
4.2 Mesazhet kryesore
4.3 Publiciteti
4.4 Media
4.5 Komunikimi në kriza
4.6 Fushata për informim publik
4.7 Zhvillimi i medieve të reja
4.8 Reklamimi
4.9 Monitorimi / Vlerësimi