Anketa e Mbeturinave të Trajtuara (AMT), 2018

  • 25/10/2019

Rritet sasia e mbeturinave në deponitë sanitare dhe josanitare

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikon rezultatet e Anketës së Mbeturinave të Trajtuara (AMT) për vitin 2018

Qëllimi kryesor për realizimin e AMT 2018 ka qenë grumbullimi i të dhënave statistikore nga bizneset, që merren me trajtimin e mbeturinave (deponitë rajonale, objektet e trajtimit të mbetjeve spitalore, sterilizimi dhe objektet e trajtimit të mbeturinave industriale), që të sigurojë të dhëna statistikore të qëndrueshme, si dhe krijimin e serisë kohore.

Rezultatet e prezantuara në këtë publikim ofrojnë një burim të rëndësishëm statistikor për gjendjen e tanishme të këtij sektori.

Rezultatet nga AMT-së tregojnë se në vitin 2018: sasia e mbeturinave të ricikluara ishte 3 193 tonë/vit; sasia e mbeturinave të sterilizuara (mbeturina spitalore) ishte 460 tonë/vit. Kurse, sasia e përgjithshme e mbeturinave të trajtuara për vitin 2018 ishte 429 534 tonë/vit.

Sasia e mbeturinave të trajtuara, sipas llojit të mbeturinave dhe llojit të trajtimit, e shprehur në përqindje, për vitin 2018, ishte si vijon: metalet (51%); mbeturinat nga plastika (28%);   mbeturinat spitalore (12%); mbeturinat e djegura (6%); dhe mbeturinat e letrës dhe kartonit (3%).

Sasia e mbeturinave të deponuara në deponitë sanitare dhe josanitare, në vitin 2018, ishte 425 667 tonë/vit. Krahasuar me te dhënat e vitit 2017, në vitin 2018 ishte një rritje e lehtë prej 2%.