Anketa e Fuqisë Punëtore (AFP), TM3 2021
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikon Rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e tretë (TM3) 2021
Sipas rezultateve, dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune. Në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare. Në kuadër të popullsisë në moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 40.6%.
Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP) për tremujorin e tretë (TM3) 2021 është 33.4%.
Punësimi me i lartë është te meshkujt 49.9%, ndërsa punësimi te femrat është 17.1%.
Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 51.8% të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit me 42.3%.
Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: tregtia me 17.1%; ndërtimtaria me 12.1%; arsimi me 9.3%; dhe prodhimi me 9.2%. Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim.
Sa i përket të të punësuarve me kontrata, del se 42.8% e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 57.2% kanë kontratë të përkohshme.
Sipas rezultateve të AFP-së, në TM3 2021, shkalla e papunësisë është 17.7%.
Papunësia më e theksuar ishte te femrat me 23.9%, krahasuar me meshkujt, 15.3%. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 29.0%.
Sipas rezultateve të AFP-së, në TM3 2021, fuqia joaktive është mjaft e lartë me 59.4%, me fokus të veçantë te femrat me 77.5 %, krahasuar me meshkujt, 41.1%.
Për realizimin e AFP-së, TM3 2021, metodologjia dhe standardet e aplikuara nga ana e ASK-së janë të harmonizuara me rekomandimet e Eurostat-it.