Anketa e Fuqisë Punëtore (AFP), TM1 2019
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikon rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e parë 2019.
Anketa ka pasur shtrirje në 452 qarqe regjistruese në tërë territorin e vendit, ku janë anketuar 4004 ekonomi familjare, të përzgjedhura sipas metodës së rastit, nga korniza e Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave të vitit 2011.
Ky publikim përmban të dhëna të detajuara mbi punësimin dhe papunësinë sipas moshës, gjinisë, statusit të punësimit, aktiviteteve ekonomike, profesioneve dhe çështjeve të tjera të ngjashme, që kanë të bëjnë me tregun e punës.
Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune. Në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare.
Në kuadër të popullsisë në moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 38.7%.
Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e parë (TM1) 2019 është 28.2%.
Punësimi me i lartë është te meshkujt 43.0%, ndërsa punësimi te femrat është 13.3%. Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 54.6 % të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit, me 43.8%.
Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: tregtia me 16.5%; ndërtimtaria me 11.5%, arsimi me 11.2%, si dhe prodhimi me 11.0%. Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim.
Sa u përket të punësuarve me kontrata, del se 39.1% e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 60.9% kanë kontratë të përkohshme.