Agjencia e Statistikave të Kosovës, ka mbajtur takimin konsultativ me udhëheqës komunal dhe përfaqësues të nivelit lokal në vend, në kuadër të organizimit për Regjistrimin e Popullsisë 2023

  • 07/12/2022

Dialogu me përfaqësues të nivelit lokal, kryetar komunash, e përfaqësues të institucioneve lokale në Republikën e Kosovës, lidhur me organizimin dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve të Regjistrimit të popullsisë është pjesë e rëndësishme e komunikimit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.

Bazuar në Ligjin për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë, roli dhe përgjegjësitë e komunave në Kosovë përcaktohen në kuadër të Komisionit Komunal të Regjistrimit (KKR), i cili formohet në secilën komunë. KKR-ja përfaqëson strukturën etnike të popullsisë, duke marrë në konsideratë edhe dispozitat ligjore për përfaqësimin e komuniteteve jo shumicë.

KRK-ja është institucioni përgjegjës së bashku me ASK-në, për organizimin, sigurimin e resurseve humane e teknologjike, sigurimin e hapësirave për trajnime dhe aktivitetet e tjera para datës së fillimit të Regjistrimit të popullsi në vend. Zbatimi i të gjitha masave normative dhe delegimi i përgjegjësive në kohë ndikojnë drejtpërsëdrejti në cilësinë dhe saktësinë e të gjitha aktiviteteve operacionale të projektit nacional të Regjistrimit të Popullsisë.

Në takimin e sotëm konsultativ, Agjencia e Statistikave të Kosovës,  përfaqësuesit e komunave në Kosovë, përfaqësues nga Asociacioni i Komunave, përfaqësues nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, si dhe përfaqësues nga Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara- zyra në Kosovë kanë diskutuar çështje me rëndësi lidhur me organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit të Regjistrimit të Popullsisë në vend.

Kryetarët dhe përfaqësuesit e komunave në takim, shprehën gatishmërinë për ofrimin e kapaciteteve humane dhe teknologjike, në arritjen e rezultatit të paraqitjes së gjendjes reale demografike. Duke ndikuar kështu në alokim të drejtë buxhetor, organizimin administrativ komunal, dhe ofrimin e shërbimeve për qytetaret bazuar në gjendjen dhe nevojat ekzistuese.

Përfaqësues nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, prezantuan para të pranishmeve metodologjinë e qasjet implementuese për regjistrimin 2023. Me fokus, përgatitjet për aktivitetet e Komisioneve Komunale të Regjistrimit (KKR)

Organizimi i këtij takimi  konsultativ është mundësuar nga programi i Asistencës Teknike, financuar nga UNFPA Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara Zyra në Kosovë.

Agjencia e Statistikave të Kosovës në kuadër të dialogut ndërinstitucional, në ditët me vijimin do të vazhdoi konsultimet publike me akterë të rëndësishëm në vend.