/media/4002/vizita-e-eurostat-it-në-kosovë-1.jpg?anchor=center&mode=crop&width=750&height=448&rnd=131692346350000000

Vizita e Eurostat-it në Kosovë

26/04/2018

Agjencinë e Statistikave të Kosovës e kanë vizituar përfaqësuesit e Eurostat-it, të kryesuar nga z. Pieter Everaers, drejtor i Drejtoratit A- Bashkëpunimi në Sistemin Statistikor Evropian; Bashkëpunimi Ndërkombëtar; Burimet në DG Eurostat, të Komisionit Evropian. Shoqëruesit e z. Everaers ishin edhe Mr. Torbioern Carlquist, DG ESTAT Njësia A3, Koordinator i Eurostatit për Shqipëri dhe Maqedoni dhe z. Simen Saeterdal, DG ESTAT, Njësi A3, Koordinator i Eurostatit për Kosovë.

Gjatë vizitës, Eurostat ka diskutuar me përfaqësuesit e nivelit të lartë për çështje specifike sidomos lidhur me rekomandimet e Raportit të Progresit të BE për Kosovën dhe për ta rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e statistikave zyrtare në kuadër të procesit të Integrimit Evropian.

Gjatë kësaj vizite, Eurostati ka pasur takime me Zv.Kryeministrin, Enver Hoxhaj, Komisionin për Administratë Publike në Kuvendin e Kosovës dhe Zyren e BE-së në Kosovë, ku ka diskutuar për situatën e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) në përgjithësi dhe me theks të veçantë për ndryshimet në Ligjin mbi Statistikat Zyrtare dhe sigurimin e burimeve të mjaftueshme për ASK-n.

Z. Everaers ka bashkëpunuar me Agjencinë e Statistikave të Kosovës që nga viti 2005, ku ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për ASK-në dhe Sistemin Statistikor të Kosovës në tërësi.

Agjencia e Statistikave të Kosovës është shumë falënderuese ndaj z. Everaers për kontributin dhe mbështetjen e dhënë Kosovës, ASK-së dhe stafit të saj, si gjatë misioneve të tij në Kosovë, raportimeve korrekte për Kosovën në Eurostat, e po ashtu edhe gjatë mbështetjes së dhënë stafit të ASK-së në trajnimet e tyre afatgjata, apo edhe të vizitave të tjera zyrtare në Eurostat.

Zhvillimi dhe avancimi i mëtejmë i Sistemit Statistikor të Kosovës është pjesë e kontributit të z. Everaers.

Eurostat është partneri kryesor i Instituteve Kombëtare të Statistikave në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe mbështet zhvillimin e Instituteve Kombëtare të Statistikave dhe të gjithë Sistemit Kombëtar të Statistikave.