/media/2814/rezultatet_rbk2014.jpg?anchor=center&mode=crop&width=750&height=448&rnd=131305223620000000

Publikohen rezultatet e Regjistrimit të Bujqësisë

26/11/2015

Në konferencën ndërkombëtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), e cila është duke u mbajtur, janë publikuar rezultatet përfundimtare të regjistrimit të bujqësisë i zhvilluar në 2014.
 
Nga panelistët dhe pjesëmarrësit e pranishëm raporti u vlerësua lartë dhe më se i domosdoshëm për sektorin e bujqësisë, duke u konsiderua si mjaft strategjik për Kosovën. Në këtë konferencë ka mbajtur një fjalë rasti edhe zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Vezir Januzi.

Me poshtë gjeni fjalën e tij:

Ky është padyshim një nga momentet më të rëndësishme për bujqësinë dhe që hap një etapë të re të orientimeve tona strategjike drejt zhvillimit të mëtutjeshëm të këtij sektori, i cili padyshim është një nga ata motorët e zhvillimit ekonomik dhe punësimit.
 
Përfundimi i këtij procesi, që ndodhi për herë të parë, pas mbi 50 vjetësh, që natyrisht në tërësi nuk ka qenë i lehtë, është një lajm shumë i mirë dhe unë dëshiroj të ju falënderoj secilin prej jush që keni punuar në të, dhe padyshim partnerët tanë që kanë ndihmuar që pas kaq vitesh edhe ne te kemi një pasqyrë reale dhe të përgjithshme mbi bujqësinë.
 
Deri më tani si ministri në vazhdimësi kemi punuar ngushtë me Agjencinë e Statistikave në nxjerrjen e të dhënave mbi sektorin e që na kanë ndihmuar mjaftë shumë në hartimin e programeve tona zhvillimore. Por padyshim, duke qenë jo të plota kanë sjellë sfida dhe ecje më të ngadalshme. Gjithsesi bujqësia ka bërë hapa të mëdhenj dhe tashmë kemi një trend të rritjes së prodhimit, sipërfaqeve të kultivuara me kultura të ndryshme, hapjen e fabrikave të reja të përpunimit të mishit dhe qumështit, pemëve dhe perimeve.
 
Bujqësia është sektor strategjik i Kosovës dhe qeveria e ka në prioritet tashmë. Për të ecur konform kësaj politike ne padyshim duhet të kemi statistika cilësore. Në opinion ka një perceptim të gabuar shpesh se sikur ne si institucione përpiqemi të glorifikojmë gjendjen. Ky regjistrim besoj është treguesi se ne jemi real sepse raporti paraqet qartazi të mirat dhe defektet tona, dhe padyshim ne do të punojmë në adresimin e shumë atyre që shohim nga ky regjistrim.
 
Ne tashmë jemi në hartimin e programit për vitin 2016, ku do të vazhdojmë të mbështesim fermerët përmes granteve dhe subvencione. Dhe është jashtëzakonisht i mirëseardhur ky regjistrim, në mënyrë që këtë program tashmë ta bëjmë konform edhe gjendjes që e paraqet ky regjistrim.

Ne nuk duhet që të ndalim punën tonë në statistika. Ne kemi nevojë çdo herë për analiza e statistika krahasuese, që ju shërbejnë edhe qytetarëve për orientim në bujqësi, në veçanti ata të rinj që duan të hapin biznese nga sektori. Pra ne duhet të kemi përgjigje më të shpejta, të freskëta në vazhdimësi mbi gjendjen, dobitë dhe vështirësitë.
 
Është evidente që ka sfida të shumta në bujqësi dhe në implementimin e politikave për të, siç kemi në shumë sektorë. Ne mbi të gjitha do të vazhdojmë të punojmë në rritjen e transparencës dhe efikasitetit në implementim të politikave mbështetëse.
 
Unë ju falënderoj edhe një herë për mbështetjen dhe, ministri Krasniqi por edhe unë personalisht do të jemi në çdo kohë në gatishmëri për bashkëpunim.
 
Nderkaq, kryeshefi ekzekutiv i ASK-së, Isa Krasniqi, tha se nga ky regjistrim del se Kosova ka 130 mijë e 775 ekonomi bujqësore. Ai tha se regjistrimi është mbajt në 34 komuna të Kosovës, kurse në 4 komunat në veri të Mitrovicës nuk është mbajt meqë sipas tij nuk ka pasur interes nga këto komuna. Edhe drejtuesi i Seksionit Operativ në Zyrën Ndërlidhëse të KE-së në Prishtinë, Christof Stock, tha se regjistrimi ka një rëndësi të madhe për donatorët e huaj. Konferenca po i vazhdon punimet.