/media/4016/nënshkrimi-i-mem-ask-up3.jpg?anchor=center&mode=crop&width=750&height=448&rnd=131702673070000000

Nënshkruhet Marrëveshje Mirëkuptimi ndërmjet Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”

08/05/2018

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) sot ka nënshkruar një Marrëveshje Mirëkuptimi me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ku parashihet bashkëpunim i ndërsjellë ndërmjet dy institucionave të Republikës së Kosovës.

Nënshkrimi i Marrëveshjes së Mirëkuptimit është bërë nga Rektori i Universitetit të Prishtinës, Prof. Dr. Marjan Dema dhe Kryeshefit Ekzekutiv të ASK-së, z. Isa Krasniqi.

Me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, z. Krasniqi theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi ndërmjet ASK-së, si institucion bartës i prodhimit të statistikave zyrtare dhe Universitetit të Prishtinës, si institucion akademik për hulumtime shkencore, analiza e projeksione të ndryshme.

“Kjo Marrëveshje e Mirëkuptimit ka për qëllim institucionalizimin e bashkëpunimit ndërmjet të gjitha fakulteteve të Universitetit të Prishtinës dhe ASK-së, që do të rezultonte në zhvillimin e politikave, zbatimin e projekteve dhe aktiviteteve me interes të përbashkët. Po ashtu, do t’i shërbejë personelit akademik në mundësinë e qasjes në të dhëna të ndryshme statistikore për t’i realizuar aktivitetet e tyre hulumtuese dhe shkencore” – tha ndër të tjera z. Krasniqi.

Kurse, Rektori i Universitetit të Prishtinës, Prof. Dr. Marjan Dema foli për vlerën e informacionit në të gjitha fushat. Ai tha se “pikërisht është statistika ajo që i mbledh të gjitha ato informacione. Ajo që na intereson neve është se jemi të interesuar të japim kontributin tonë në ndryshime pozitive, jo vetëm në Universitetin e Prishtinës, por edhe në komunitet. Planin Strategjik e kemi ndërtuar në atë mënyrë që Universiteti i Prishtinës të jetë i orientuar nga një universitet kryesisht teorik, në një universitet të orientuar kah biznesi, puna dhe industria.” Në këtë aspekt, ai përmendi kontributin e madh të dekanit të Fakultetit Ekonomik, Prof. Ass. Dr. But Dedaj, i cili bashkë me Kryeshefin Ekzekutiv të ASK-së ishte edhe iniciatori kryesor për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje të mirëkuptimit.

Rektori Dema tha po ashtu se “përmes kësaj marrëveshjeje pres të mos jetë vetëm marrëveshje në letër, që vizionin që ka Universiteti i Prishtinës brenda këtij trevitshi të realizohet me këtë politikë që jemi duke e udhëhequr dhe gjithpërfshirëse” Ai po ashtu, përmendi që “përmes kësaj Marrëveshje të Mirëkuptimit pret që të kryhet edhe ndonjë shërbim për studentët tanë për kryerjen e praktikës në ASK, që nga Universiteti i Prishtinës të mos ketë asnjë të diplomuar pa pasur të paktën një tremuajsh të punës praktike”.

Gjatë nënshkrimit të Marrëveshjes së Mirëkuptimit ishin të pranishëm edhe Prorektori për Zhvillim dhe Cilësi, Prof. Dr. Hysen Bytyçi, Dekani i Fakultetit Ekonomik, Prof. Ass. Dr. But Dedaj, si dhe këshilltari i Rektorit, Prof. Asoc.Dr. Rrustem Qehaja.